Ishte nata e gëzimit për Italinë, por edhe e lotëve. E lotëve të Spinacolës, që la fushën me barelë për një dëmtim muskulor, që e ka shqetësuar gjatë gjithë sezonit. Një problem në “Tendinën e Akilit” është një nga diagnozat më të tmerrshme në futboll, ndaj dhe frika është një mungesë të gjatë të mbrojtësit të krahut të Italisë dhe Romës.
Spinacola do të kryejë sot ekzaminimet për të kuptuar saktësisht masën e dëmtimit, por frika është për këputje të tendinës. Një lajm shumë i keq ky për trajnerin Roberto Mançini, u cili e kishte të sigurt krahun e majtë me futbollistin e Romës. Para se të dëmtohej, ai ishte vendimtar në rastin e Lukakut, duke e shpëtuar Italinë nga një gol i sigurt, që mund ta ndryshonte rrjedhën e ndeshjes me Belgjikën.
Që në ndeshjen e parë të Europianit, Spinacola spikati me një formë të shkëlqyer fizike. Ai ka qenë ndër më të mirët e Italisë deri në këtë fazë të kompeticionit dhe dëmtimi i tij prish shumë punë. “Më vjen shumë keq, nuk e meritonte, - tha trajneri Mançini pas ndeshjes. Po luante jashtëzakonisht mirë, ishte një nga më të mirët e Europianit. Duket dëmtim serioz, i urojmë shërim sa më të shpejtë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.