Euro 2020

Kevin De Bryjne i përulet Italisë: Skuadër e klasit të parë

Kevin De Bryjne sakrifikoi për Belgjikën, duke zbritur në fushë me kavilje të dëmtuar ndaj Italisë. Pas eliminimit, ylli i belgëve dhe Mançester Sitit, është shprehur se skuadra është penalizuar nga dëmtimet e shumta gjatë Euro 2020.

"Ishte një turne i vështirë për ne, kemi pësuar shumë dëmtime. Luftuam deri në fund, por Italia ishte më e mirë se ne gjatë pjesës së parë. Në të dytën krijuam më shumë raste. Mund të kishim shënuar golin e barazimit 2-2, por nuk ia dolëm. Dua të falënderoj stafin mjekësor për punën që ka bërë gjatë katër ditëve të fundit. Kam luajtur me një problem në kaviljen e majtë, nuk ishte e lehtë”, - ka thënë De Bryjne.

Belgu më tej komplimenton Italinë: "Humbëm ndaj një skuadre të klasit të parë”. Pastaj pak optimizëm për të ardhmen: "Do të provojmë të fitojmë Botërorin, por më parë duhet të marr veten fizikisht. Kam pasur shumë probleme muajt e fundit (dy fraktura në fytyrë në finalen e Championsit), por gjithmonë jam përpjekur të jap gjithçka për skuadrën”.

Jan Vertonghen, titullari i mbrojtjes belge, ka marrë përsipër përgjegjësitë për golin e parë të pësuar. "Ishte një moment që nuk po e mbanim topin në kontroll. Bëra një zgjedhje të gabuar dhe humba topin. Një gabim që dhemb”, - tha mbrojtësi pas ndeshjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë