Bota

Video/ Pas nxehtësisë rekord, zhduket mes flakëve një qytezë në Kanada

Lytton, Kanadaja perëndimore. Në një zonë që normalisht regjistron një mesatare vere prej rreth 20 gradë, të martën 29 qershor termometri arriti në 49.6 gradë, duke thyer rekordin kombëtar për të tretën ditë me radhë. Një valë nxehtësisë vdekjeprurëse që së pari gjunjëzoi dhe më pas solli fundin e këtij vendi të British Columbia, i zhdukur mes flakëve: një zjarr i dhunshëm, i cili u përhap në një çast për shkak të thatësirës së madhe, dogji tërë vendbanimin në vetëm pesëmbëdhjetë minuta

Flakët papritmas

Njerëzit e Lyttonit, tashmë ishin paralajmëruar për një zjarr që ishte ndezur në jug të qytezës. Por një zjarr i ri, i nxitur nga erërat e forta, befasoi banorët dhe përfshiu ndërtesat në pak minuta. Flakët u përhapën aq shpejt sa ishte e pamundur për autoritetet të lëshonin një urdhër evakuimi.

“Qyteza jonë e varfër e Lytton është zhdukur”, – shkroi drejtoresha Edith Loring-Kuhanga në Facebook.

“Ne të gjithë u futëm në automjetet tona dhe filluam të ngisnim… nuk kishim energji ose internet në Lytton dhe të gjithë po përpiqeshin të arrinin familjarët e tyre. Është kaq shkatërruese, ne jemi të gjithë të tronditur! Anëtarët e komunitetit tonë kanë humbur gjithçka”.

Të vdekur nga nxehtësia

Një valë ekstreme e nxehtësisë që sipas autoriteteve, përveç se ka rrafshuar qytetin e Lyttonit dhe duke shkaktuar dhjetëra zjarre të pamundura për t’u vënë nën kontroll, në atë zonë të Kanadasë (Kolumbia Britanike, Alberta, Yukon dhe Territoret e Northwest), shkaktoi të paktën 486 vdekje në pesë ditë. Një rritje anormale prej 195% krahasuar me vitet e mëparshme. Për të mos përmendur dëmtimin e bujqësisë, rrugët e deformuara dhe linjat e dëmtuara të energjisë.

“Asnjë vend nuk është i sigurt”

Dhe nëse Joe Biden dhe Justin Trudeau tashmë fajësojnë ndryshimin e klimës për emeregjencënn, kështu thonë edhe ekspertët.

Sir David King, ish-këshilltari kryesor i shkencës në Mbretërinë e Bashkuar, tha: “Askund nuk është i sigurt, kush do të kishte parashikuar një temperaturë prej 48/49°C në British Columbia?”.

Dhe përsëri Michael E Mann, profesor i shkencave atmosferike në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë në SHBA dhe autor i “The New Climate War”, shton: “Ne duhet ta marrim këtë shumë seriozisht… Nëse e ngrohni planetin, do të shihni një incidencë më të madhe të temperaturave ekstreme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë