Në kuadër të operacionit anti-drogë “Shpirti”, janë sekuestruar pasuri me vlerë 3 milionë euro dhe 6 tonë drogë. Bëhet fjalë për 11 pasuri të paluajtshme, restorante të sekuestruara dhe konfiskuara, hotele, supermakete dhe 4 shoqëri tregtare.
Prokurori i Krimeve të Rënda, Vladimir Mara, tha se sekuestrimet janë bërë në Vlorë, Tiranë, Kavajë dhe në qytete të tjera. "Është dokumentuar fakti që këto pasuri janë direkt të vendosura si rezultat i të ardhurave nga aktiviteti kriminal" u shpreh Mara.
Prokurori shqiptar ka treguar se gjatë hetimeve, janë sekuestruar edhe 6 tonë lëndë narkotike. “Gjatë hetimeve, janë evidentuar episode të shumta të trafikut të lëndeve narkotike, nga Shqipëria drejt brigjeve italiane dhe shtrirjen në disa qytete të Italisë dhe vendeve të tjera të Europës, kryesisht kanabis sativa, heroinë, kokainë dhe lëndë të tjera të përpunuara. Gjatë hetimit janë sekuestruar 6 tonë lëndë narkotike në Shqipëri e Itali dhe janë nxjerrë masa sigurimi për më shumë se 80 persona", - vijoi Rama.
Premtimi i kreut të SPAK-ut, Arben Kraja
Kreu i SPAK-ut, Arben Kraja ka deklaruar se bashkëpunimi me autoritetet e drejtëisë italiane, ka sjellë goditjen e grupit të trafikut të drogës, ku u arrestuan dhjetëra persona.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me autoritetet italiane, Kraja u shpreh se ka patur një shkëmbim informacionesh me palën italiane, duke bërë të mundur finalizimin e këtij operacioni.
Ai theksoi se u bë e mundur zbulimi i të gjithë hallkave të këtij 'zinxhiri' të trafikut të drogës, që nga prodhimi dhe më pas dërgimi në Itali.
Kreu i SPAK-ut u shpreh se janë evidentuar dhe sekuestruar pasuri të luajtshme e të paluajtshme pasurore dhe tregtare ndaj këtij grupi kriminal.
“Një moment i rëndësishëm është hetimi i gjithanshëm që është kryer. Është evidentuar i gjithë zinxhiri nga prodhimi dhe transporti i lëndëve narkotike në Itali. Është evidentuar dhe provuar përfshirja e zyrtarëve të ndryshëm publik në këtë lloj aktiviteti, duke favorizuar aktivitetin kriminal. Bëhet fjalë për prokurorë, zëvendës policie, administratorë të pushtetit lokal dhe janë sekuestruar pasuri të konsiderueshëm me disa miliona euro vlerë”.
Kraja nënvizoi se një tregues i rëndësishëm që është bashkëpunimi i dëshmitarëve të drejtësisë që kanë bashkëpunuar. Ai tha se janë ngritur akuza edhe për pastrim parash.
Kraja tregoi se kjo është faza e dytë e këtyre hetimeve, ndërsa një vit më parë ai kishte premtuar se këtij operacioni do t’i shkohet deri në fund.
“Para një viti ne ishim në një konferencë në Romë, ku sqaruam fazën e parë të këtij operacioni dhe në atë takim premtova se do i shkojmë deri në fund këtij hetimi dhe kush është i përfshirë do mbajë përgjegjësi, përfshirë edhe zyrtarë publikë. Jemi në situatën ku e kemi mbajtur premtimin dhe kemi bërë më të mirë", tha Kraja.
Shefi i Antimafias italiane: Grupi me aktivitet kriminal në disa vende
Prokurori i Anti-mafias italiane, Federico Cafiero de Raho, në fjalën e tij theksoi se bashkëpunimi mes autoriteteve ka vijuar prej kohësh dhe se bashkëpunimi Shqipëri-Itali lejoi strukturat të luftojnë krimin e organizuar.
“Përshëndes kreun e SPAK, Arben Kraja. Operacioni mes Shqipërisë dhe Italisë ishte konstant. Prej kohësh kemi operuar së bashku për këtë operacion dhe me një raport me shumë intensitet që arritur rezultate të jashtëzakonshme. Bashkëpunimi Shqipëri -Itali lejon strukturat tona të luftojnë krimin e organizuar.
Qytetarët duhet të kenë besim në punën tonë. Anti-mafia italiane dhe policia shqiptare kanë zhvilluar këtë operacion tepër delikat, falë impenjimit të tyre kanë arritur të shkatërrojnë këtë grup që kryente aktivitetin kriminal në disa vende. Është e rëndësishme që bashkëpunimi ynë të vazhdojë në mënyrë intensive”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.