Euro 2020

Parregullsia, peticion me 250 mijë firma për të riluajtur Francë-Zvicër

Me shpejtësi rrufe janë mbledhur 250 mijë firma në një peticion për të riluajtur ndeshjen Francë-Zvicër, ku kampionët e botës humbën me penallti dhe i dhanë lamtumirën Europianit. Sipas firmëtarëve të këtij peticioni, ka një parregullsi në penalltinë vendimtare të humbur nga Kilian Mbape.

Një reagim që vjen pas disa ditësh nga tifozët francezë, të cilët kërkojnë përsëritjen e ndeshjes. Çfarë nuk shkon në penalltinë e pritur nga Somer, që i dha kualifikimin Zvicrës? Sipas francezëve, portieri nuk ka pasur të paktën njërën këmbë në vijën e portës, siç parashikon rregullorja. Ata kanë vendosur në peticion edhe një foto të Somer në momentin e pritjes së penalltisë.

Somer pret penalltinë e Mbape. Gazeta Si, 1 korrik 2021

Në fakt, eddhe vetë portieri zviceran priti për një moment para se të festonte, kur ndali topin e gjuajtur nga Mbape. VAR-i dhe pamjet zyrtare të atij momenti e konsideruan të rregullt veprimin e Somer. Pavarësisht këtij reagimi kaq masiv, duket e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që UEFA të plotësojë kërkesën e tifozëve të Francës. Edhe sikur ata të kenë të drejtë, për UEFA-n do të krijohej një precedent shumë i rrezikshëm, nëse do të vendoste për riluajtjen e ndeshjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë