Euro 2020

Njeriu i sukseseve Petkovic, nga bamirësia te çerekfinalet me Zvicrën

Njeriu i sukseseve, jo vetëm sportive. Vladimir Petkoviç ka bërë histori, ka eliminuar Francën kampione bote në fuqi dhe e ka çuar Zvicrën për herë të parë në çerekfinale të një Europiani, ka bërë një skuadër me një grup të bashkuar. Shkëmb graniti.

“Ka një atmosferë të mirë në dhomat e zhveshjes, – ka thënë Jan Somer, portieri i Zvicrës dhe Borusia Mënshengladbah, – trajneri është i kujdeshëm për çdo detaj motivues. Di të bëjë një skuadër". Në pamje të parë, Petkovic mund të duket i ngathët dhe i mërzitur, aq sa në Zvicër “Blick”, pikërisht për të theksuar faktin që trajneri është shumë i shkëputur nga mediet, vuri si titull: “Vlado, hape dritaren”.

Petkoviç feston kualifikimin ndaj Francës me ekipin. Gazeta Si, 1 korrik 2021

Por ata që e njohin e dinë që ai ka një zemër të artë. Futbolli për të gjithmonë ka qenë i rëndësishëm, por ai është i biundur se jeta e vërtetë është një tjetër. Për këtë Petkoviç, i lindur në Sarajevë, ku ka njohur edhe luftën, ka qenë gjithmonë i predispozuar për të ndihmnuar të tjerët.

Në vitet e para si trajner, kur impenjimi nuk ishte shumë i madh, ai i zhvillonte stërvitjejt pasdite, sepse gjatë paradites punonte me Karitasin. Shiste mobilje, veshje dhe libra dhe atë që fitonte e jepte të gjithën për bamirësi. Ishte në krye të një skuadre që vlerësonte objektet e dhuruara, i çonte në qendrën e Karitasit dhe pastaj ua dorëzonte blerësve. Në të kaluarën ka punuar edhe si përgjegjës i një kompanie pastrami, ku ndihmonte të papunët të ingranoheshin.

Lojtari më i lidhur me të është Senad Luliç, të cilin Petkoviç e ka strërvitur te Belinzona, Jang Bojs dhe pastaj te Lacio. "Karriera ime dhe ajo e Senadit janë kryqëzuar, – shpjegon Petkoviç, - ai ka shënuar gola të rëndësishëm që na kanë ndihmuar të dyve”. Në 2008-ën shënoi në ndeshjen shtesë me St Galenin, duke e ndihmuar Belinzonën të ngjitej në nivelin elitar të futbolit zviceran, ku nuk kishin qenë më parë as Petkoviç dhe as Luliç. Në 2013-ën shënoi golin në finale e Kupës së Italisë dhe Lacio fitoi ndaj Romës.

Petkoviç dhe Luliç, kur ishin te Lacio. Gazeta Si, 1 korrik 2021

"Te Senadi vlerësoj faktin që te çdo skuadër ku ka qenë, ka qenë i ndershëm me shokët, nuk është ankuar kurrë për asnjë, nëse ka pasur një problem, e ka përballuar vetë. Kjo ndihmon të bësh grup. Të tjerët në këtë situatë i drejtohen trajnerit ose klubit. Për mua, ajo që Luliç ka treguar karshi shokëve është shumë e rëndësishme për të ndërtuar një skuadër". Kjo është filozofia e Vladimirit. Besnikëri resiproke. Gjithmonë. Kështu në fushë nuk dalin 11 lojtarë, por një skuadër.

Petkoviç flet tetë gjuhë: atë kroate, boshnajke, angleze, franceze, spanjolle, gjermane, ruse dhe italiane), një tjetër “armë” që e ndihmon të kuptohet nga të gjithë. Me një mesatare pikësh 1.8 për ndeshje është trajneri më o mirë në historinë e Zvicrës, duke kaluar edhe një shenjtor si Hitzfeld (ishte para tij në krye të Zvicrës dhe u ndal në 1.77 pikë për ndeshje). Që në 2014-ën është në krye të Zvicrës dhe jo vetëm e ka klaulifikuar për në fazën finale (në dy Europianë dhe një Botëror), por e ka çuar skuadrën të paktën në 1/8-at e këtyre kompeticioneve.

Petkoviç dhe Granit Xhaka. Gazeta Si, 1 korrik 2021

Megjithatë, Petkoviç mbetet i përulur. “Rrugëtimi ynë fillon nga larg. Në 1992-shin federata mori Roi Hodgson si trajner, solli një filozofi të re dhe synonte shumë. Nga ai moment janë alternuar trajnerë të ndryshëm nga vende të ndryshme dhe secili ka dhënë kontributin e tij. Jemi të vendosur të imponojmë futbollin tonë edhe ndaj skuadrave të forta si Italia. Duam të dominojmë në fushë, duam të fitojmë, pavarësisht emrit të kundërshtarit. Ajo që është e sigurt është se ne nuk fshihemi, as kundër Italisë dhe kundër askujt", - thoshte Petkoviç para nisjes së Europianit. Dhe e tregoi duke eliminuar Francën favorite. Kur është në mes Petkoviç, nuk mund të flitet për surpriza. Ai është njeriu i sukseseve, jo vetëm sportive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë