Varianti Delta po përhapet shpejt në Mbretërinë e Bashkuar dhe tashmë ka një çështje të hapur edhe për 3 ndeshjet e fundit të Euro 2020. Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Margaritis Schinas, ka thënë se nuk është një vendim i përshtatshëm zhvillimi i tri ndeshjeve në Londër.
Imazhi i kryeministrit anglez, Boris Xhonson, duke festuar para televizorit pas fitores 2-0 të Anglisë ndaj Gjermanisë, në një farë mënyrë ka vërtetuar se është e vështirë, thuajse e pamundur, të anulohen dy gjysmëfinalet dhe finalja e këtij Europiani nga “Wembley”. Presioni i Bashkimit Europian për të luajtur në kushte më të sigurta përballë rritjes së numrit të të infektuarve në Britani, – dje 20479 raste të reja, - sidomos të variantit Delta, nuk e ka ndryshuar qëndrimin e UEFA-s, e vendosur për të respektuar planin fillestar.
Nuk është aspak surprizë ky qëndrim, nëse kemi parasysh faktin se ishte po UEFA që lejoi gjatë shpërthimit të valës së parë të Covid-19 të luhej me dyer të hapura më 11 mars 2020 ndeshjen Liverpul-Atletiko Madrid në Ligën e Kampionëve. Ajo ndeshje, sipas një studimi universitar anglez, shkaktoi 54 të vdekur, një në çdo një mijë spektatorë.
Për fat të mirë, nuk jemi në ato kushte. Në Europë vaksinimi po ecën me ritme të shpejta, por heqja e masave dhe grumbullimet vazhdojnë të krijojë probleme. Më shumë se 80 tifozë finlandezë u kthyen nga Rusia pozitivë me Covid-19. Varianti Delta, që ka shpërthyer në Angli, – një gabim i pafalshëm i qeverisë britanike që pezulloi me vonesë lidhjet ajorore me Indinë, - po prek edhe vendet e tjera. Në Portugali, ku qytetarët britanikë mund të shkonin pa problem deri pak kohë më parë, ka një vatër Delta në Lisbonë.
Në Angli shifrat janë vërtet shqetësuese. Vaksinimi masiv, - 84.6% e popullsisë ka marrë dozën e parë dhe 62.1% ka kompletuar ciklin, - mbron nga virusi të rriturit, ndërsa personat nën 30 vjeç janë më të prekurit nga ajo që tashmë konsiderohet vala e tretë. Të organizosh 3 ndeshje në “Wembley”, me 60 mijë tifozë çdo ndeshje, do të thotë se në 5 ditë do të grumbullohen 180 mijë persona. Anglia luan çerekfinalen me Ukrainën në Romë, ku tifozët anglezë nuk mund të jenë në teori, për shkak të karantinës dhe se Mbretëria e Bashkuar nuk e ka pasaportën e vaksinës.
Paralajëmrimi i bërë ndaj UEFA-s nga Margaritis Schinas, zëvendëspresident i Komisionit Europian, është në vazhdën e mesazheve të dhëna së fundi nga kryeministri italian Dragi dhe kancelarja gjermane Merkel: "Të luash në ‘Wembley’ tri ndeshje nuk është një vendim i drejtë dhe duhet analizuar për shkak të situatës. Mbretëria e Bashkuar limiton qarkullimin e qytetarëve drejt Europës dhe pastaj hap stadiumin për 60 mijë persona.
Në këtë pikë mund të arrihet një kompromis për t’i luajtur dy ndeshjet gjysmëfinale në Mynih dhe në Romë, ndërsa finalja e Euro 2020 të mbetet në “Wembley”. Një opsion që duhet marrë vërtet në konsideratë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.