Politike

Akuzat ndaj Sorecas, Zyra e BE: Shpifje! Do t’i ndjekim ligjërisht

Zyra e Bashkimit Europian në Tiranë konfirmoi se Ambasadori Luigi Soreca ka zhvilluar një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese më 16 qershor para se kjo gjykatë të mblidhej në seancën e radhës plenare për të diskutuar padinë për çështjen e Teatrit Kombëtar.

“Delegacioni i BE-së në Shqipëri konfirmon që Ambasadori Soreca është takuar me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Znj. Vitore Tusha, mëngjesin e 16 qershorit 2021”, thuhet në deklaratë.

Por, përmes një deklarate, Zyra e BE hedh poshtë të gjitha akuzat se Ambasadori u takua fshehurazi dhe me qëllim lobimin për llogari të Bashkisë së Tiranës në këtë gjykatë.

“Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri përgënjeshtron me forcë deklaratat e bazuara në shpifje prej një përfaqësueseje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar drejtuar Ambasadorit Luigi Soreca”, vijon deklarata.

Sipas Delegacionit, takimi ka qenë i planifikuar dhe pjesë e një serie takimesh që Soreca po zhvillon me krerët e institucioneve të drejtësisë.

“Për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri. Gjatë takimit nuk pati asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Gjykatë mbi Teatrin Kombëtar. Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasadori Soreca vazhdojnë të mbështesin fuqimisht dhe në mënyrë sistemike pavarësinë e të gjitha institucioneve gjyqësore shqiptare”, thuhet në reagimin e BE.

Në fund, delegacioni i BE-së thotë se rezervon çdo të drejtë për të ndjekur ligjërisht deklaratat e bazuara në shpifje të bëra në media.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë