Euro 2020

Video/ Ukraina kalon pas 120 minutash, kompletohen 4 çiftet çerekfinaliste

Me kualifikimin e Ukrainës, është plotësuar edhe 8-shja e skuadrave çerekfinaliste të Euro 2020 dhe janë përcaktuar 4 çiftet sipas skemës së paracaktuar. Ato janë Itali-Belgjikë, Danimarkë-Çeki, Spanjë-Zvicër dhe Angli-Ukrainë. Një kampionat me shumë surpriza, që shumë shpejt ka humbur disa nga favoritët kryesorë, si Franca, Gjermania, Portugalia dhe Holanda.

Një kualifikim historik për Ukrainën, që pasi kaloi grupin si një nga të tretat më të mira, ka eliminuar Suedinë, duke fituar 1-2 në Gllasgou, pas 121 minutash lojë. U duk si një nga ato ndeshje, ku gjithçka do të vendosej nga pika e bardhë e penalltive, por Dovbik, i aktivizuar si zëvendësues, realizoi golin e rëndësishëm për ukrainasit.

Zinçenko, ylli i Mançester Sitit, i dha avantazhin Ukrainës me një goditje të bukur në zonë, pas pasimit të Jarmolenkos. Suedia barazoi me Forsberg, i cili goditi nga jashtë zonës dhe u ndihmua edhe nga një devijim i një mbrojtësi ukrainas, që nxorri jashtë loje portierin Bushçan. Pa fat Forsberg në pjesën e dytë, pasi goditi dy herë shtyllën.

Dy trajnerët i ruajtën zëvendësimet për në fundin e ndeshjes, duke iu frikësuar kohës shtesë. Suedia mbeti me 10 lojtarë në shtesën e parë, pasi Danielson u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër ndaj Bisedin, që nuk mundi ta vazhdonte më ndeshjen. Ukraina qarkulloi topin në kohën e mbetur, me Suedinë të mbyllur në gjysmëfushën e saj.

Kur u duk se kualifikimi do të vendosej nga penalltitë, Dovbik, në shtesën e shtesës së dytë, saktësisht në minutën e 121-të, realizoi golin e fitores për skuadrën e Andrij Shevçenkos, që regjistron kështu një arritje historike me kalimin në çerekfinale të Europianit, ku do të ndeshet me Anglinë favorite.

Suedi-Ukrainë 1-2
Suedia (4-4-2): Olsen, Lustig (Krafth), Lindelof, Danielson, Augustinson (Bengtsson), Larson (Klaeson), Olson (Helander), Ekdal, Forsberg, Kulusevski (Kuaison), Isak (Berg). Trajner: Anderson.
Ukraina (4-3-3): Bushçan, Karavaev, Zabarnij, Krivtsov, Matvijenko, Sidorçuk (Bezus), Stepanenko (Makarenko), Zinçenko, Jarmolenko (Dovbik), Jaremçuk (Besedin, Tsigankov), Shaparenko (Malinovskij). Trajner: Shevçenko.
Arbitër: Orsato (Itali)
Shënues: Zinçenko 27’, Forsberg 43’, Dovbik 121


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë