Frank De Boer ka dhënë dorëheqjen nga detyra e trajnerit të Holandës, pas eliminimit nga Euro 2020 që në fazën e 1/8-ve. Vendimi është marrë pas konsultave mes Niko-Jan Hogma, Erik Gude, Frank de Boer dhe agjentit të tij Guido Albers gjatë pasdites.
Është rënë dakord që dy palët ta ndërpresin menjëherë bashkëpunimin. Frank de Boer ka bërë me dije se nuk dëshiron të vazhdojë të drejtojë Holandën, çka është në linjë me kontratën e tij, ku parashikohej një vend në çerekfinale të Europianit, kështu që nuk mund të ketë rinovim. "Vendosa të mos vazhdoj. Objektivi nuk u arrit, kjo është e qartë", - ka thënë Boer.
“Kur mora propozimin për të qenë trajner i kombëtares në 2020-ën, mendova se ishte një nder dhe një sfidë, por isha i vetëdijshëm edhe për presionin që do të kisha. Ky presion vetëm po shtohet tani dhe kjo situatë nuk është e mirë për mua dhe as për skuadrën në prag të kualifikueseve të Botërorit. Dua t’i falënderoj të gjithë, tifozët dhe lojtarët. Komplimente edhe drejtuesve të federatës që kanë krijuar një klimë sportive të jashtëzakonshme", - ka shtuar de Boer, tashmë ish-trajner i “tulipanëve”.
Pas eliminimit të Franës, u tha se edhe Didier Deshamp rrezikonte shumë shkarkimin, por orët e fundit ai është konfirmuar nga drejtuesit e federatës franceze, edhe pse ende jo zyrtarisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.