Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu është kallëzuar penalisht nga tre efektivë të Policisë së Shtetit me akuzën se i ka penguar të ushtrojnë detyrën. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në zonën turistike të Shëngjinit, jashtë ambienteve të një hoteli në vijën e parë të bregdetit.
Rreth orës 11:15 minuta të mbrëmjes, patrulla e policisë ka konstatuar muzikë me volum të lartë tek hoteli në fjalë në kundërshtim të aktit normativ të Qeverisë, që e ndalon muzikën që në orën 22:00 dhe të gjithë aktivitetin pas orës 23:00. Punonjësit e policisë kanë kërkuar ndërprerjen e muzikës dhe mbylljen e lokalit, por kanë hasur në kundërshtinë e pronarit.
LEXO EDHE:
– Përplasja me efektivët, Ndreu: Barkderra që kapërcejnë kompetencat!
– Rama kundër Ndreut: Asnjë tolerim për fyerjen ndaj policëve. Ka bërë shumë gabim
– Basha: Policët e ndershëm të tradhtuar nga regjimi Rama-Doshi
Përballë rezistencës, patrulla e Shëngjinit ka kërkuar përforcime dhe në ndihmë të tyre ka shkuar një grup “Shqiponja”, të cilët në debat e sipër kanë tentuar të shoqërojnë në komisariat pronarin e hotelit. Por, referuar kallëzimit penal në ato momente ka dalë nga lokali kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, duke i penguar që të ushtrojnë detyrën.
Menjëherë pas përfundimit të shërbimit efektivet e policisë i janë drejtuar prokurorisë së Lezhës, duke dëshmuar atë çfarë ju kishte ndodhur dhe kallëzuar penalisht kryebashkiakun Ndreu dhe pronarin e hotelit. Sipas kallëzimit penal të efektivëve, dëshmohet se Ndreu është futur mes konfliktit verbal të pronarit dhe policëve.
“Meqënëse përballë nesh u fut kryetari i bashkisë, i cili na tha se ligjet i bëj unë dhe i vendos unë, për të mos krijuar një situatë më të rëndë, ne jemi tërhequr, duke njoftuar me radio sallën operative dhe eprorët tanë”.
Efektivët shtojnë në proces-verbal se shefat e tyre nuk ndërrmorën asnjë veprim dhe iu thanë në telefon “lëreni, mos u merrni, largohuni prej aty”.
Përplasja me Ndreun u ka shkaktuar pasoja tre efektiveve të patrullës së Shëngjinit, ndaj të cilëve ka nisur hetim disiplinor nga eproret e tyre për “Shkelje e rënda të atributeve e kompetencave të policisë”, me argumentin se në subjektin ku po gjenerohej muzikë në shkelje të ligjit, po zhvillohej një aktivitet i Bashkisë Lezhë, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të huaj dhe se efektivet e policisë ishin telefonuar nga shefi i komisariatit Nik Nikolli që të largoheshin nga aty.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




