Drejtësia

Kokaina nga Ekuadori, SPAK kërkon 20 vite e 8 muaj burg për dy të pandehurit

SPAK ka kërkuar dënimin me 13 vite burg për ish- punonjësin e sigurisë në portin e Durrësit, Ardian Bega dhe 18 vite burg për peshkatarin Altim Mystihakën.

Ata akuzohen si të përfshirë në trafikimin e 137 kg kokainë nga Ekuadori drejt Shqiperisë. Por me gjykim të shkurtuar, dënimi i Begës ulet në 8.8 vite, burg ndërsa i Mystihakës ulet në 12 vite.

Sipas Prokurorisë, këta persona janë bashkautorë në trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit kokainë, të sekuestruar në kontenierë, të cilët vinin nga Ekuadori në drejtim të Shqipërisë, duke kaluar tranzit në portin e Pireut, Greqi

Për këtë çështje vijon të jetë në kërkim Gentian Malindi, i dyshuar si porositësi i lëndës narkotike, për të cilin gjykata veçoi dhe pezulloi për një vit çështjen.

Dyshohet se Malindi porositi 137 kg kokainë në Ekuador, e cila u zëvendësua nga policia me oriz në portin e Pireut në Greqi.

Ishin grekët që sinjalizuan policinë shqiptare, e cila bashkë me prokurorinë, hoqi drogën dhe vuri oriz dhe GPS.

Pas tri ditësh në port shkuan 2 persona, Altin Myslimhaka dhe Ardian Bega, për të marrë drogën, ku u arrestuan menjëherë.

Kush është Gentian Malindi

Malindi, me profesion jurist, është djali i avokatit Ilir Malindi. Ai është një person me precedent të mëparshëm penal.

Më 8 qershor 2013, ai është arrestuar nga policia, pasi u kap me 500 kg drogë të llojit kanabis sativa, por më vonë gjykata e liroi.

Droga u kap nga policia në zonën e Plazhit, e fshehur në furgon tip “Benz Mercedez”, me targë AA 938 AE, e cila kishte si destiancion Italinë.

Por 45-vjeçari është i njohur edhe në fushën e biznesit të peshkut. Ai ka në pronësinë e tij një varkë e cila peshkon në detin Adriatik të regjistruar edhe në QKR.

Më 18 nëntor 2018, Malindi ka paditur edhe Policinë Kufitare, pasi sipas tij nga kontrollet e njëpasnjëshme që i ka bërë në varkën e peshkimit, i shkaktuan dëm ekonomik e moral.

Madje babai i tij, Ilir Malindi më 30 tetor 2014, ka paditur në gjykatë edhe ish-ministrin Saimir Tahiri, se Policia Shtetit përndjek dhe dhunon djalin e tij për këtë çështje. Ai kërkoi në gjykatë 5 milionë lekë dëmshpërblim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë