Euro 2020

Mourinjo pret një finale Itali-Angli, Pele i shkruan Kilian Mbape

"Pa Portugalinë në kompeticion, ndihem i lidhur me Italinë, sepse, si trajner i Romës, kam lojtarë në atë kombëtare. I uroj më të mirat Leonardo Spinacolës, që po luan shumë mirë, si dhe Brajan Kristantes, që ka luajtur si zëvendësues".

Janë këto fjalët e Zhoze Mourinjos për “Times”, teksa komenton fazën finale të Euro 2020. "Italia kundër Anglisë në finale do të ishte skenari perfekt për mua, - ka deklaruar trajneri portugez. – Do të më pëlqente që Herri Kejn të merrte trofeun në duart e tij nga Aleksander Ceferin. Nëse mundin Gjermaninë, i shoh në “Wembley”, në finale". Në fundjavë Mourinjo pritet në Romë për të nisur zyrtarisht eksperiencën e tij në krye të skuadrës kryeqytetase.

Kilian Mbape. Gazeta Si, 29 qershor 2021

Nga Euro 2020 janë larguar tashmë edhe kampionët e botës, me Kilian Mbape protagonist negativ te Franca. Sulmuesi francez nuk shënoi asnjë gol në 4 ndeshje dhe humbi penalltinë e fundit ndaj Zvicrës, duke përfunduar kështu në qendër të kritikave jo vetëm në vendin e tij.

Për t’i dhënë kurajë sulmuesit të ri ka menduar një legjendë, braziliani Pele, i cili i ka dedikuar një postim në Tuiter pas eliminimit të bujshëm të Francës. “Mbaje kokën lart Kilian! Nesër është dita e parë e udhëtimit tënd të ri", - shkruan Pele.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë