Janë përcaktuar deri tani tre çifte çerekfinaliste të Euro 2020 dhe ato janë Itali-Belgjikë, Danimarkë-Çeki dhe Spanjë-Zvicër. Çifti i katërt përcaktohet sot, pas ndeshjeve Angli-Gjermani (18:00) dhe Suedi-Ukrainë (21:00), që mbyllin fazën e 1-8-ave. Sigurisht, e gjithë vëmendja është te supersfida e “Wembley”-it, ku përplasen dy skuadra të mëdha, si Anglia dhe Gjermania.
Anglia e nisi mirë këtë Europian, duke u paraqitur mirë në ndeshjen me Kroacinë, më pas vuajti, por pa e vënë në diskutim kalimin e grupit. Problemi kryesor i trajnerit Southgejt është sulmuesi kryesor dhe kapiteni i skuadrës, Herri Kejn, në një formë të dobët deri në këtë moment. Megjithatë, ai nuk mund të lëvizë nga formacioni. Grealish pritet të jetë sërish nga minuta e parë në fushë, pjesa tjetër do të jetë po ajo e ndeshjeve në grup.
Te Gjermania pritet të ketë disa ndryshime nga trajneri Joakim Lëv, i cili është vënë në qendër të kritikave. Po ashtu, mjaft të kritikuar janë edhe titullarët Gyndogan, Sane dhe Gnabri. Kthehet nga dëmtimi Tomas Myler, ndërkohë që një vend titullari në mesfushë mendohet ta ketë Leon Goretzka, lojtari që i dha kualifikimin Gjermanisë me golin e barazimit ndaj Hungarisë. Ndeshja luhet në Londër, ku anglezët do të kenë mbështetjen e tifozëve të tyre.
Në mbrëmje, në stadiumin e Gllasgout, Suedia dhe Ukraina do të diskutojnë mes tyre “biletën” e fundit për në çerekfinale të Euro 2020. Një ndeshje e vështirë për t’u parashikuar, me suedezët që kanë më shumë përvojë, por djemtë e Shevçenkos mund të bëjnë surprizën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.