Euro 2020

Video/ Danimarka çerekfinalistja e parë, Bejl me shokë kthehen në shtëpi

Një dygolësh i Kasper Dolberg dhe dy golat e Maehle dhe Braithuejt kanë nxjerrë jashtë loje skuadrën e Gareth Bejlit me shokë. Më 3 korrik, në Baku, Danimarka do të ndeshet me fituesin e çiftit Holandë-Çeki. Ëndrra daneze vazhdon.

Danimarka është skuadra e parë që kualifikohet për në çerekfinale të Euro 2020, pasi ka mundur 4-0 Uellsin në “Johan Krojf Arena”. “Heroi” i papritur i ndeshjes ishte sulmuesi Dolberg, i aktivizuar titullar, në vend të Jusuf Poulsen. Ai e kaloi Danimarkën në avantazh pas 27 minutash, me një goditje “të hidhur” nga jashtë zonës.

Sapo nisi pjesa e dytë, Dolberg dyfishoi shifrat, pas një topi të dhuruar nga mbrojtja kundërshtare. Uellsi më pas pati më shumë iniciativë, por pa ndonjë rezultat konkret. Dy minuta para fundit, Maehle shoi çdo shpresë të uellsianëve me golin e tretë, ndërsa në kohën shtesë Braithuejt vulosi fitoren e danezëve me golin e katërt, një gol që u anulua fillimisht për pozicion jahstë loje, por që u konsiderua i vlefshëm nga VAR-i.

Para ndeshjes pati një homazh për Kristian Eriksenin, futbollistin e Danimarkës që i shpëtoi për mrekulli atij incidenti të frikshëm në sfidën e parë në grup ndaj Finlandës. Në Amsterdam këtë futbollist e njohin shumë mirë, pasi ka luajtur për Ajaksin, ndaj dhe respekti ishte maksimal.

Homazhi për Kristian Eriksen. Gazeta Si, 26 qershor 2021

Uells-Danimarkë 0-4
Uellsi (4-2-3-1): Uard, C.Roberts (Uilliams), Rodon, Mepham, B.Davis, Alen, Morrel (Uillson), Bejl, Ramsei, Xhejms (Bruks), Mur (T.Roberts). Trajner: Pejxh
Danimarka (3-4-3): Shmeikel, Kristensen, Kjaer (Andersen), Vestergard, Striger Larsen (Boilesen), Delanei (Jensen), Hojbjerg, Maehle, Braithuejt, Dolberg (Kornelius), Damsgard (Norgard). Trajner: Hjulmand
Arbitër: Sibert
Shënues: Dolberg 27', 48’, Maehle 88’, Braithuejt 96’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë