Alvaro Morata ka shfryrë ndaj tifozëve. Ai ka treguar për mikrofonin e “Radio Cope” gjithë zemërimin e tij, pasi ka përfunduar në shenjestër të tifozëve spanjollë pas ndeshjes me Poloninë, të cilët i kanë kërcënuar familjen. "Kam kaluar 9 orë pa gjumë, kam marrë kërcënime për familjen nga persona, të cilët shpresonin që fëmijët e mi të vdisnin, - ka thënë sulmuesi i Spanjës. – Kam kaluar disa ditë i izoluar nga gjithçka”.
Morata bën edhe “mea-culpa” për paraqitjen jo të mirë që ka bërë në ndeshjet në grup: "Ndoshta nuk e kam bërë punën time si duhet dhe i kuptoj kritikat që nuk kam shënuar, por do doja që njerëzit ta vinin veten në vendin tim dhe të imagjonin se çfarë do të thotë të kërcënohesh dhe se si ndihesh, kur dikush të mallkon se do që t’i shikojë fëmijët e tu të vdekur. Sa herë hyj në një dhomë, e lë telefonin diku tjetër, por gjithsesi ia thonë bashkëshortes sime ose fëmijëve".
Tërbimin te një pjesë e tifozëve e kanë shkaktuar më shumë deklaratat e Moratës pas ndeshjes me Poloninë, kur ai tha: "Nëse dëgjojmë gjithçka thonë për kombëtaren tonë, nuk është mirë. Mezi presin rastin të na kritikojnë. Në përgjithësi, në këto kompeticione i gjithë vendi mbështet lojtarët. Ne vijmë pas disa vitesh, ku Spanja ka fituar gjithçka dhe krahasimi për ne nuk është i thjeshtë".
"Nuk i kam thënë me arrogancë ato fjalë, ishin pasojë e nervozizmit. Unë jap gjhithmonë jetën për Spanjën dhe nuk kuptoj pse tifozët nxehen, nëse them se të flasësh është gratis. Nëse them se jemi më të mirët dhe do të fitojmë Europianin, do të ishte ndryshe? Gjithçka që them apo nuk them, ka një interpretim. Kuptoj kritikat, por ka një limit", - është shprehur në fund Morata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.