Euro 2020

Kapiteni i Holandës: Largohem nga fusha, po pati kore raciste në Budapest

Pas koreve raciste ndaj Mbape dhe Benzema gjatë ndeshjes Hungari-Francë, kapiteni i Holandës, Xheorxhino Uijnaldum, ka mbajtur qëndrim të qartë për këtë çështje. Ai ka paralajmëruar se do të marrë vendime ekstreme, nëse ndodh edhe në ndeshjen e 1/8-ve të Euro 2020 ndaj Çekisë, që luhet ditën e diel në stadiumin e Budapestit.

"Mendoj se UEFA duhet të na mbrojë dhe në raste të tilla duhet të ndërhyjë ndoshta edhe duke ndalur ndeshjen. Kjo përgjegjësi nuk u takon futbollistëve. Personalisht, nuk e përjashtoj mundësinë e braktisjes së fushës, nëse të dielën do të ketë kore raciste. Uroj që ky gjest i imi të mos jetë i nevojshëm në atë ndeshje”, - ka thënë Uijnaldum.

Holanda feston fitoren ndaj Ukraines. Gazeta Si, 24 qershor 2021

“Nuk jam sulmuar asnjëherë me kore raciste nga publiku, por kam pyetur veten se çfarë do të bëj, nëse do të më ndodhë, - ka vazhduar mesfushori. – Nuk e kam provuar kurrë atë ndjenjë dhe shpresoj të mos e provoj”. Uijnaldum, ashtu si dhe gjermani Nojer, do të mbajë një shirit kapiteni pro komunitetit LGBT në ndeshjen e radhës.

“Në ato momente duhet t’i afrohesh arbitrit me shokët e skuadrës dhe të marrësh një vendim. Në fillim mendoja se nuk duhet dalë nga fusha, tani mendoj ndryshe”, - ka përfunduar futbollisti holandez, nga më të mirët për skuadrën e tij në ndeshjet në grup.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë