Në fillim një “Jo” e thatë ndaj propozimit për ngjyrosjen e “Allianz Arenës”, pastaj logoja me ylber: UEFA në një postim në Tuiter ka shpjeguar se “është krenare të mbajë ngjyrat e ylberit. Është një simbol që mishëron vlerat tona thelbësore, duke promovuar gjithçka ku ne besojmë: një shoqëri më e drejtë dhe e barabartë, tolerante me të gjithë, pavarësisht nga e shkuara, besimi dhe gjinija”.
Në postim jepet edhe shpjegimi për mohimin e kërkesës së qytetit të Mynihut: “Kërkesa ishte politike, lidhej me praninë e skuadrës hungareze të futbollit në stadium për ndeshjen me Gjermaninë. Për UEFA-n ylberi nuk është një simbol politik, por një shenjë e impenjimit tonë për një shoqëri gjithpërfshirëse”.
Në këtë situatë, kryeministri hungarez Viktor Orban ka vendosur ta anulojë fluturimin për në Mynih. Në kulmin e polemikave për ligjin anti-LGBT të aprovuar në vendin e tij dhe mohimin e UEFA-s për ngjyrosjen e stadiumit për ndeshjen e sotme, ai ka vendosur të shkojë në Bruksel.
“Që stadiumi i Mynihut, apo një tjetër në Europë të jenë apo jo të ndriçuar me ngjyrat e ylberit, nuk është një vendim shteti”, - ka deklaruar Orban, duke u kërkuar politikanëve gjermanë ta pranojnë “Jo”-në e UEFA-s. Komisioni Europian ndërkohë ka kërcënuar me masa ligjore Hungarinë dhe e ka përcaktuar ligjin e kontestuar anti-LGBT si të turpshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.