Euro 2020

Rekordi unik i Luka Modriç, më i riu dhe më i vjetri që shënon në Europian

Luka Modriç vazhdon të dhurojë emocione në fushë me magjitë e tij, pavarësisht moshës. Kapiteni i Kroacisë realizoi një gol fantastik në ndeshjen me Skocinë, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Një gol që e bën lojtarin e Realit më të vjetrin që shënon në një Europian për Kroacinë, 35 vjeç e 286 ditë.

Ky është një rekord i dyfishtë për Modriç, pasi është njëkohësisht edhe lojtari më i ri në moshë që ka shënuar për kombëtaren kroate në një Europian. Mesfushori ka shënuar ndaj Austrisë në Europianin e 2008-ës, kur ishte 22 vjeç e 273 ditë. Janë thjesht statistika, por që tregojnë shumë për një futbollist që i ka dhënë shumë futbollit këto vite.

Modriç ka fituar edhe “Topin e Artë”, pasi shkoi deri në finale të Botërorit të Rusisë me Kroacinë, ndërsa me Realin e Madridit ka fituar gjithçka. Fiziku i tij elegant e lejon të dhurojë paraqitje të nivelit të lartë edhe në këtë moshë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë