Një tjetër gol trepikësh nga Rahim Sterling, ashtu si në ndeshjen e parë ndaj Kroacisë, ka bërë që Anglia të marrë fitoren e dytë në grup dhe vendin e parë. Feston edhe Çekia, që kualifikohet si një nga të tretat më të mira. Kapiteni Herri Kejn edhe këtë herë nuk pati sukses në përpjekjet për të gjetur golin tek Anglia, duke konfirmuar momentin e keq. Sterling goditie dhe shtyllën para golit.
Southgejt hodhi në fushë një skuadër ndryshe, me Grealish dhe Saka nga minuta e parë, në vend të Foden dhe Maunt. Sterling shënoi shumë shpejt me kokë golin e avantazhit dhe u duk se Anglia do të fitonte thellë, por çekët reaguan mirë dhe mbetën në lojë deri në fund. Gjithsesi, anglezët e ruajtën rezultatin për ta mbyllur grupin me 7 pikë. Në fazën e 1/8-ve Anglia do të ndeshet me vendin e dytë të Grupit F, (Francën, Gjermaninë, Portugalinë ose Hungarinë) gjithmonë në “Wembley”.
Çeki-Angli 0-1
Çekia (4-2-3-1): Vaclik, Coufal, Celustka, Kalas, Boril, Holes (Vidra), Souçek, Masopust (Hlozek), Darida (Kral), Jankto 6 (Sevçik), Shik (Pekhart). Trajner: Silhavi
Anglia (4-2-3-1): Pikford, Uollker, Stons (Mings), Meguajër, Shou, Filips, Rajs (Henderson), Saka (Sanço), Grealish (Belingham), Sterling 7 (Rashford), Kejn. Trajner: Southgejt
Arbitër: Artur Dias (Portugali)
Shënues: Sterling 12’
Kroacia u është falur veteranëve Luka Modriç dhe Ivan Perisiç, të cilët në pjesën e dytë shënuan 2 golat që i dhanë 3 pikët skuadrës së Daliç. Ballkanasit e mbyllin në vend të dytë të Grupit D, pas Anglisë që u bëri një nder, duke mundur Çekinë. Në pjesën e parë realizoi Vlasiç, por skocezët barazuan në fundin e pjesës së parë me anë të MekGregor.
Në të dytën, një gjuajtje me të jatshmen e Modriç ktheu Kroacinë në avantazh, ndërsa Perisiç me kokë ngriu stadiumin “Hampden Park” të Gllasgout, duke prerë çdo shpresë të skocezëve për një kualifikim të mundshëm. Trajneri Daliç kishte bërë disa ndryshime në formacion, aio aktivizoi nga minuta e parë Petkoviç në vend të Kramariç dhe Vllasiç në vend të Rebiç, lëvizje që rezultuan të goditura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.