Luhen sot dy ndeshjet e fundit të Grupit B, ku është krijuar një situatë ankthi pas daljes pozitiv me Covid-19 të skocezit Gilmur. Mount dhe Çiluell janë izoluar, pasi kanë pasur kontakt me shokun e tyre te Çelsi, ndërsa trajneri i Kroacisë, Zllatko Daliç, ka polemizuar për faktin që Skocia mund të luajë pa probleme me protokollin aktual.
Në fushë do të zbresë Anglia, e kaulifikuar për në 1/8-at, por që duhet të mundë Çekinë për vendin e parë në grup. Ndeshja është banalizuar disi si një sfidë mes Kejn dhe Shik, me të parin në kuotën 0 gola dhe të lidhur me merkaton, dhe të dytin me 3 gola. Sfida e “Wembley”-it duhet të qartësojë vlerat e Anglisë, që konsiderohet favorite në Euro 2020, por ka vështirësi për të gjetur golin.
Për të zgjuar sulmin, trajneri Southgejt duket se ka në plan t’i japë një fanellë titullari Grealish. Çekia kalon si e para e grupit, nëse nuk humb me Anglinë, dhe si e dyta, nëse humb dhe Skocia mund Kroacinë. Mund të përfundojë e treta, por e kualifikuar vetëm nëse humb dhe Kroacia merr 3 pikët, por me rezultat të ngushtë.
Kroaci-Skoci është një nga ato ndeshjet klasike “brenda ose jashtë”. Kroatët kanë shënuar vetëm një gol me Perisiç, kurse skocezët nuk e kanë gjetur ende rrugën e rrjetës. Të dyja kanë nga 1 pikë dhe janë 3 pikë prapa dy skuadrave të tjera, kështu që duhet të fitojnë për të shpresuar. Kroacia duhet të mundë Skocinë për të mbetur në garë si e treta më e mirë, por mund të lërë pas edhe Çekinë dhe të kapë vendin e dytë me diferencë golash. Skocia duhet të fitojë që të jetë të paktën e treta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.