Euro 2020

Mario Dragi kërkon t’i rrëmbejë finalen Londrës, UEFA ia pret shkurt

“Kam në plan të lëviz, sepse finalja nuk mund të luhet në një vend, ku numri i infektimeve po rritet me shpejtësi”. Janë fjalët e kryeministrit italian Mario Dragi gjatë një konference shtypi të dhënë bashkë me kancelaren gjermane Angela Merkel, kur ai është pyetur në lidhje me transferimin e mundshëm të finales së Euro 2020 nga Londra në Romë. Një pyetje që vjen për shkak të rritjes së të infektuarve në Mbretërinë e Bashkuar.

Qëndrimi i Dragit ndaj Anglisë në fakt është në kundërshtim me vullnetin e UEFA-s, që i ka kërkuar qeverisë angleze ta rritë në 65 mijë spektatorë kapacitetin e stadiumit “Wembley” për gjysmëfinalet dhe finalen. Nuk ka vonuar replika, pas fjalëve të Dragit.

Mario Dragi. Gazeta Si, 21 qershor 2021

“UEFA, federata angleze dhe autoritetet angleze po punojnë ngushtë për organizimin e gjysmëfinaleve dhe finales së Euro 2020 në “Wembley” dhe nuk ka plane për ndryshimin e stadiumit për këto ndeshje”, - ka bërë të ditur UEFA me anë të një komunikate zyrtare.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë edhe pak humor, duke thënë se me Dragin ka folur për Gosens, lojtarin e Atalantës që po bën shumë mirë edhe me Gjermaninë. “Në marrëdhëniet mes Italisë dhe Gjermanisë nuk ka probleme, përveç diferencave futbollistike, - ka thënë Merkel. – Kemi pozicione të ndryshme. Italia luan mirë, por ne bëjmë tifo për skuadrën tonë. Gjithsesi, të dyja palët mendojmë se gjermani Gosens i Atalantës është një lojtar shumë i mirë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë