Euro 2020

Video/ Suedisë i mjafton një penallti, mund Sllovakinë dhe merr kreun

Një fitore të çmuar, 1-0, ka marrë Suedia në ndeshjen e dytë në grup ndaj Sllovakisë. Pas këtij 3-pikëshi suedezët e shohin veten të parët në grup, me 4 pikë, duke shtuar presionin për fitore te Spanja pretendente.

Ndeshja e zhvilluar në “Gazprom Arena” të Shën Pietërburgut u vendos nga një penallti. Pjesa e parë nuk pati emocione, pasi munguan rastet në portat respektive. Në të dytën, skuadra e drejtuar nga Anderson e rriti presionin dhe gjeti golin trepikësh 13 minuta para fundit. Portieri Dubravka pengoi Quaison në zonë dhe Forsberg ktheu në gol penalltinë e akorduar për skandinavët. Suedia merr kështu kreun e Grupit E, të paktën deri në mbrëmje, kur Spanja do të përballet me Poloninë.

Ky është suksesi i parë për Suedinë në Europian që nga 2012-a, kur fitonte ndaj Francës në ndeshjen e tretë në grup, por pa u kualifikuar. Gati 88% e golave të Suedisë në Europian janë shënuar në pjesët e dyta (23/26), përqindja më e lartë mes skuadrave me të paktën 3 gola në këtë kompeticion.

Për Sllovakinë, që ka 3 pikë pas 2 ndeshjesh, llogaritë janë komplikuar jo pak. Ndeshjen e fundit sllovakët e kanë me Spanjën dhe do të jetë shumë e vështirë për 2 vendet e para, por ata mund të shpresojnë për kualifikimin si një nga skuadrat më tëmira të vendeve të treta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë