Euro 2020

Defibrilator kardiak për Eriksen, e ardhmja si futbollist është një rebus

“Pas ekzaminimesh të shumta në zemër, është vendosur që Eriksenit t’i vendoset një ICD (një defibrilator kardiak). Ai e ka pranuar këtë vendim”, – shkruhet në një komunikatë të fundit të Federatës Daneze të Futbollit. Ky është vendimi i mjekëve të skuadrës dhe atyre të “Righospitalet”, ku futbollisti është i shtruar ende.

Në komunikatë nuk flitet për diagnozën, federata nuk saktëson se cili është shkaku i aritmisë kardiake, edhe pse gjithçka lë të kuptohet se bëhet fjalë për një miokardit. Çfarë ndodh tani? Pas 3-4 javësh Eriksen do të vizitohet sërish për të kuptuar, nëse defibrilatori do të jetë i përkohshëm, apo i përhershëm.

Ka futbollistë të ndryshëm që luajnë me një impiant të ngjashëm të instaluar në trup, holandezi Blind është shembulli më i njohur. Por në Itali kjo gjë nuk është e mundur, prandaj dhe do të jenë thelbësore kontrollet e tjera pas disa javësh. Eriksen është mirë tani, ndërsa e ardhmja si futbollist është ende një rebus.

Danezi ka marrë ndërkohë mesazhe mbështetje nga presidenti i UEFA-s Ceferin, drejtues dhe futbollistë skuadrash që marrin pjesë në Europian. Sot, gjatë ndeshjes Danimarkë-Belgjikë, loja do të ndalet në minutën e 10-të për të nderuar mesfushorin e Interit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë