Danimarka kthehet sot në fushë, pas asaj të shtune të mallkuar, ku u detyrua të luante një pjesë loje të ndeshjes me Finlandën pasi kaloi ato momente dramatike. E humbi atë ndeshje dhe sot duhet të përballojë një nga skuadrat favorite, Belgjikën. Është e detyruar të fitojë patëjetër sot Ukraina e Shevçenkos kundër Maqedonisë së Veriut, ndërsa Holanda mund të kalojë në 1/8-at, nëse mund Austrinë.
Pesha e asaj që ndodhi me Eriksenin e ka ndryshuar krejtësisht Europianin e Danimarkës. Tani skuadra do të përpiqet t’i dhurojë atij dhe gjithë danezëve një kënaqësi në fushë. Përballë është Belgjika e Lukakut në një ndeshje vendimtare, që duhet kaluar me sukses, pavarësisht gjendjes psikologjike. Rusia mundi Finlandën dhe u fut në lojë, ndaj dhe Danimarkës i duhet patjetër të marrë pikë. Duhet ta bëjë me një grup lojtarësh ende të tronditur dhe nuk mund të parashikohet se si do të sillet në fushë. Jensen do të zëvendësojë Eriksenin, ndërsa mbrojtja do të ketë shumë punë ndaj treshes Mertens-Lukaku-Karrasko.
Holanda mund të kualifikohet, nëse mund Austrinë. Ndaj Ukrainës u duk një skuadër brilante, pavarësisht kritikave për skemën 5-3-2, me të cilën nuk pajtohen puritanët e futbollit portokalli. Trajnerit De Boer i intereson pak, ai ka rikuperuar De Ligt, ndërsa sulmi frymëzohet nga Uijnaldum dhe konkretizohet nga dyshja Depai-Veghorst. Austria ka 3 pikë dhe bazohet te vizioni i lojës së Sabitzer, kualiteti i Alabës dhe inkursionet e Lainer dhe Lazaro. Arnautoviç është pezulluar për një ndeshje nga UEFA.
Shansi i fundit për Ukrainën kundër Maqedonisë së Veriut. Pas humbjes me Holandën në fund, skuadra e Shevës duhet të fitojë me çdo kusht. Kombinimet Jarmolenkos, Malinovskit, Zinçenkos dhe Jaremçuk janë baza e lojës së ukrainasve. Maqedonia bazohet ende te Pandev, që bën diferencën edhe pse 38 vjeç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.