Autoriteti i Konkurrencës ka hapur hetimet e thelluara për tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të karburanteve në vendin tonë.
Objekt i hetimit do të jenë ndërmarrjet që administrojnë portet e shkarkimit dhe depozitimit të karburanteve, si edhe kompanitë që kanë kontrata depozitimi në këto porte.
Porti i Porto Romanos dhe ai i Vlorës kanë në dorë importimin, shkarkimin dhe depozitimin e karburanteve në vend.
Në portin e Porto Romanos, për këtë shërbim operojmë ndërmarrjet Romano Port SHA dhe Porti MBM.
Ndërsa në Vlorë operon Petrolifera Italo-Albanese (PIA).
Masa më e madhe e shërbimeve të tregut të karburantit bëhet në Portin e Durrësit dhe më pak në portin e Vlorës. Përpunimi i cisternave deri në 20 mijë ton bëhet vetëm nga Romano Port SHA, ndërsa ato mbi 20 mijë ton, vetëm nga Porti MBM, pra strukturë monopolisitike.
Sipas AK-së, një tjetër detaj shqetësues është edhe struktura vertikale e këtyre ndërmarrjeve, shoqërive koncesionare dhe tregtarëve me shumicë. Kështu, ata mund të ndërhyjnë në çdo hallkë tjetër të tregut, duke rritur rrezikun e abuzimeve të rolit të tyre dominues.
“Referuar lidhjes aksionare në Porto Romano Durrës, rezulton se ekziston një lidhje integrimi vertikal e shoqërive koncesionare dhe shoqërive që kanë depozitat në këto koncesione, si dhe me tregtarët me shumicë në tregun e karburanteve, duke i dhënë ndërmarrjeve koncesionare një fuqi tregu, e cila duke patur parasysh pozitën e koncesionarëve në treg, mund të çojë në lidhjen e marrëveshjeve të ndaluara gjë që bie në kundërshtim me nenin 4 të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, nëpërmjet vendosjes së kushteve të padrejta të tregtimit dhe për pasojë në abuzim me pozitën e tyre në treg,” shprehet Autoriteti i Konkurrencës në arsyetimin e vendimit.
Ndërmarrja Romano Port sh.a ka aksioner kontrollues biznesmenin e hidrokarbureve Piro Bare, ndërsa Porti MBM kontrollohet nga dy prej importuesve më të mëdhenj të karburanteve në vend, Shefqet Kastrati dhe Frident Kuqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.