“Kundër tyre do të jetë një ndeshje e vështirë, ata dinë si të na vënë në vështirësi”, – ka theksuar mes të tjerash në konferencë shtypi trajneri i Italisë, Roberto Mançinio. Përtej vlerësimit për Zvicrën, ai ka dashur t’u tërheqë vëmendjen e të tijve për të pasur përqendrim maksimal dhe për ta siguruar që sot në mbrëmje vendin e parë në grup.
Mançini ndoshta i druhet faktit se mund të ketë entuziazëm të tepruar pas fitores 3-0 ndaj Turqisë në ndeshjen e parë në grup. Edhe sot Italia pritet të luajë me atë formacion, me Imobilen favorit ndaj Belotit për majën e sulmit. Ndoshta ndryshimi i vetëm mund të jetë Di Lorenco në vend të Florencit. Verrati është drejt rikuperimit, por sot mund të jetë në stol, jo në fushë.
Në krahun tjetër, kjo ndeshje vlen shumë për Zvicrën, që pas barazimit me Uellsin duhet t’i bëjë mirë llogaritë, sepse rrezikon të mbetet jashtë fazës me eleminim direkt. Trajneri Petkoviç ka pasur disa dyshime në lidhje me formacionin, duke nisur nga Xherdan Shaqiri, që në ndeshjen e parë ishte shumë larg pritshmërive.
Në orën 15:00 zbresin në fushë Finlanda dhe Rusia. Finlandezët surprizuan në ndeshjen e parë, duke mundur Danimarkën në atë ndeshje dramatike të incidentit të Eriksenit, kurse Rusia e ka jetike fitoren, duke qenë se vjen pas humbjes 3-0 me Belgjikën dhe rrezikon shumë. Një ndeshje mjaft delikate është edhe ajo mes Turqisë dhe Uellsit, që luhet në orën 18:00, në Baku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.