Euro 2020

“Kapiten Europa”, e gjithë bota ngre në piedestal Simon Kjaerin

Lider në momentin më të vështirë. Mënyra ekzemplare, me të cilën ai ndihmoi shokun e skuadrës në ato çaste dramatike, bashkimi i lojtarëve të tjerë përreth tij dhe qetësimi i bashkëshortes së Kristian Eriksenit, Sabrinës, e kanë bërë Simon Kjaerin një hero të vërtetë. Jo vetëm në rrjetet sociale.

Të gjithë e kanë quajtur “Kapiten Europa”. Ishte ai që i dha ndihmën e parë dhe sipas “Mirror”, ai që e mbajti në jetë, duke i hapur gojën dhe duke e kthyer me shpinë nga fusha për t’i liruar rrugët e frymëmarrjes shokut të skuadrës që ra pa ndjenja. Për ta lënë më pas gjithçka në dorë të mjekëve. Kordoni i formuar nga gjithë lojtarët e Danimarkës po ashtu kanë fytyrën e tij.

Simon Kjaer, i pari që ndihmoi Eriksenin. Gazeta Si, 13 qershor 2021

Kapiten në fushë, por edhe në jetë. Pas pak minutash Kjaer shkoi të qetësonte bashkëshorten e Eriksenit që la shkallët e stadiumit dhe vrapoi drejt fushës mes lotësh. E siguroi se gjithçka do të shkonte mirë dhe ai përqafim është një imazh i stampuar në sytë e gjithë botës së futbollit që u solidarizua me mesfushorin danez. Një njeri të madh e kanë vlerësuar Kjaerin edhe kundërshtarët e tij, që nga Barela i pari.

Ka folur për episodin ndërkohë edhe mjeku i Danimarkës, Morten Boesen, i cili ka thënë: “Eriksen ra në fushë dhe kur shkuam atje ai merrte frymë. I kontrolluam pulsing, kishte rrahje, pastaj papritur nuk po e ndjenim më dhe ndërhymë për ta mbajtur në jetë. Për fat të mirë, ai luftoi fort për të jetuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë