“Djajtë e kuq” e kanë nisur si pretendentë të vërtetë aventurën e tyre në Euro 2020. Belgjika ka mundur pastër, 3-0, Rusinë, falë një dopiete të Romelu Lukakut dhe një goli të Meunier. Skuadra e trajnerit Roberto Martinez kryeson Grupin B, bashkë me Finalndën.
Belgët e zgjidhën ndeshjen që në pjesën e parë, kur sulmuesi kryesor i tyre, Lukaku, zhbllokoi shifrat pas 10 minutash. Nuk kishte si të mungonte dedikimi për shokun e skuadrës tek Interi, Kristian Eriksenin: “Je i fortë Kris, të dua” – iu drejtua Lukaku kamerës. Goli i dytë erdhi nga Meunier, i futur në fushë si zëvendësues, pas dëmtimit të Kastanje. Dy minuta para fundit të ndeshjes, Lukaku shënoi edhe golin e dytë personal.
Në “Gazprom Arena” të Shën Pietërburgut, Rusia nuk mundi të bënte asgjë dhe u dorëzua pa kushte para makinerisë belge. Belgjika dhe Finlanda kanë nga 3 pikë në Grupin B, por me golavarazh kryesojnë djemtë e Roberto Martinez.
Finlanda ka hyrë në histori, duke regjistruar fitoren e parë në një Europian. Dhe këtë e ka bërë me vetëm një gjuajtje gjatë gjithë ndeshjes ndaj Danimarkës. Me sa duket, tronditja nga incidenti i Eriksenit la pasoja te danezët, të cilët humbën edhe një penallti në pjesën e dytë me Hojberg. Pohjanpalo, autori i golit të finlandezëve, nuk festoi në shenjë respekti ndaj Eriksenit, i shpallur lojtari i ndeshjes nga UEFA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.