Euro 2020

Video/ Nuk ka fitues në Baku, Zvicra ngec në barazim ndaj Uellsit

Ka ardhur edhe barazimi i parë në këtë Europian. Zvicra dhe Uellsi ndanë nga një pikë pas rezultatit 1-1 në Baku, duke mos dëmtuar njëri-tjetrin, por tashmë duhet të sforcohen më shumë në dy ndeshjet e tjera në Grupin A. Ky rezultat mban me shpresë edhe Turqinë, që u mund thellë nga Italia të premten.

Embolo, lojtari mëi mirë i ndeshjes, i dha avantazhin Zvicrës 4 minuta pas nisjes së pjesë së dytë. Pas një inkursioni personal, gjuajtja e tij u devijua në korne nga portieri uellsian dhe pas krosit nga këndi talenti i Zvicrës shënoi me kokë. Në pjesën e parë Zvicra humbi disa raste me protagonist Haris Seferoviç. Uellsi pati vetëm një rast me sulmuesin Mur.

Ishte ky i fundit që ia doli të barazonte shifrat me një gjuajtje të bukur me kokë në zonë. Pas golit të barazimit, Zvicra sikur e humbi fuqinë, megjithatë arriti të krijonte disa raste që nuk u shfrytëzuan. Pati edhe një moment feste të shkurtër, teksa Gavranoviç shënoi, por VAR-i e anuloi golin për pozicion jashtë loje.

Xhaka dhe sidomos Shaqiri, nuk dhanë atë që pritej në këtë ndeshje, ndaj dhe i dyti u zëvendësua nga trajneri Petkoviç. Në anën tjetër, edhe Gareth Bejl nuk bëri ndonjë gjë për t’u mbajtur mend. Kualifikimi mbetet i hapur për të dyja skuadrat, por vështirësia rritet.

Uells-Zvicër 1-1
Uellsi (4-3-3): Uard, Roberts, Rodon, Davis, Mepham, Morell, Alen, Ramsei (Ampadu), Xhejms (Bruks), Mur, Bejl. Trajner: Pejxh
Zvicra (3-4-1-2): Somer, Elvedi, Shar, Akanji, Mbabu, Xhaka, Freuler, Rodriguez, Shaqiri (Zakaria), Embolo, Seferoviç ( Gavranoviç). Trajner: Petkoviç
Arbitër: Turpin (Francë)
Shënues: Embolo 49’, Mur 74′


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë