Euro 2020

Lufta në Ballkan, zgjedhje jete, ndryshim fanelle: 65 lojtarë me dy pasaporta

Kurrë një Europian nuk ka qenë kaq europian. Nuk ka një vend organizator, apo dy, por njëmbëdhjetë. Kufijtë janë hequr, ideja, – e ndikuar edhe nga Covid-i, – ishte ajo për të përjetuar një muaj emigracioni futbollistik: tifozë dhe skuadra që shëtisin nëpër kontinent. Një ide, kjo e lëvizjes, e përfaqësuar mjaft mirë edhe nga historitë e futbollistëve.

Më shumë se 10% e pjesëmarrësve, 65 nga 622, nuk kanë lindur në vendin që përfaqësojnë dhe vetëm Polonia dhe Gjermania nga 24 kombëtaret e Europianit kanë në organikë 26 lojtarë të lindur të gjithë brenda kufijve të tyre. Rastësisht, për nevojë, për punë, për oportunizëm, për urrejtje, për dashuri: arsyet e emigracionit, të ndryshimit të fanellës, apo vetëm të vendit. Ja historitë kurioze:

Vëllezërit Tiago Alkantara dhe Rafinja. Gazeta Si, 11 qershor 2021

Në gjurmët e baballarëve
E nisim nga “bijtë e artit”, ata që për shkak të profesionit të babait kanë lindur larg vendit të prindërve. Në San Pietro Vernotiko, provincë e Brindizit, ka lindur Tiago Alkantara, mesfushori i Spanjës dhe fëmija i parë i Mazinjos, kampion bote me Brazilin. Lojtari i Liverpulit nuk është diskutuar asnjëherë për pasaportën italiane dhe kur zgjodhi ekipin kombëtar, nuk kishte dyshime: “Jam rritur në Spanjë”.

Markus Turam, djali i parë i Lilian, ka lindur në Parma. Xhordan Larson, djali i Henrik, ka lindur në Roterdam, kur babai i tij luante për Fejnordin. Të tre janë djemtë e tre lojtarëve të famshëm. Por ka edhe histori të tjera të ngjashme me protagonistë më pak të njohur: Viktor Tsigankov (Ukraina) ka lindur në Izrael, ku babai Vitali ka luajtur për më shumë se 10 vjet.

Viktor Tsigankov, mesfushori i Ukrainës. Gazeta Si, 11 qershor 2021

Finlandezi Oni Valakari është nga Madhëruelli (Skoci), sepse aty luante babai Simo. Austriaku Louis Shaub është nga Fulda, Gjermani, ku ka mbyllur karrierën babai Fred, heroi i Kupës UEFA të fituar nga Eintraht Frankfurti në 1980-ën. Por nuk jetohet vetëm me futbollin… Lukas Hradecki, portieri i Finlandës, ka lindur në Bratisllavë, por u bë finlandez sepse babai Vladimir shkoi në Turku për të luajtur volejboll dhe u stabilizua në Finlandë. I njëjti profesion edhe për Loeki Retering dhe Xhorxh De Jong, prindërit e Luk (dhe Siem) që luan për Holandën, por ka lindur në Zvicër, ku bënë karrierë nëna dhe babai.

Zgjedhje pune
Jashtë sportit historitë e lindjeve në vende të tjera vazhdojnë: danezi Robert Skov erdhi në jetë në Marbela, sepse babai i tij punonte në një bankë në Gjibraltar. Uellsianët Adam Davis dhe Ris Norrington-Davis janë djem ushtarakësh britanikë, i dyti madje ka lindur në Riad, në Arabinë Saudite dhe pastaj ka shkuar në Kenia, për t’u kthyer në Britaninë e Madhe.

Zgjedhje jete
Emigracioni ka çuar Rahim Sterling në Angli nga Xhamajka, ku nëna e tij Nadine vraponte thuajse si Bolt. Para se të merrte telefonatën nga “Tre Luanët”, lojtari i Mançester Sitit nuk e kishte përjashtuar mundësinë për të luajtur me “Reggae Boyz”. Kamerunasit Embolo dhe Mvongo janë rritur në Zvicër, kongolezi Benteke në Belgjikë, te Turqia janë lojtarët e lindur në Gjermani, si milanisti Çalhanoglu, Holandë dhe Austri, te Portugalia janë djemtë e kolonive Danilo Pereira (Angola) dhe Uilliam Karvalho (Guinea Bisau). Finlandezi Niko Hamalainen ka lindur në Palm Biç në Florida, sepse babai, ish-lojtar, ka luajtur aty. Amerika e kontaktoi, por djaloshi nuk pranoi të ndërrojë fanellë.

Rahim Sterling. Gazeta Si, 11 qershor 2021

Lufta në Ballkan
Diaspora nga Ballkani, e nisur para luftës dhe e shtuar gjatë dhe pas konfliktit, ka shkaktuar një emigrim masiv. Një situatë që ka sjellë zgjedhje komplekse dhe të dhimbshme për shumë futbollistë. Vëllezërit Xhaka, të lindur në Zvicër nga refugjatë kosovarë, janë ndarë: Graniti është kapiteni i Zvicrës, Taulanti luan për Shqipërinë. Edhe Xherdan Shaqiri është kosovar, por luan për Zvicrën, në Botërorin e 2018-ës kishte dy flamujt të stampuar në këpucë dhe golin ndaj Serbisë e festoi me shenjën e shqiponjës dykrenare të flamurit shqiptar, duke shkaktuar një krizë diplomatike dhe duke u gjobitur nga UEFA.

Këpucët e Xherdan Shaqirit. Gazeta Si, 11 qershor 2021

Te Zvicra është edhe Mehmedi, i lindur në Maqedoninë e Veriut, tek Austria një tjetër maqedonas, Pervan, te Kroacia Lovren dhe Budimir kanë lindur në Bosnjë, Kovaçiç në Austri, Pasaliç në Gjermani. Te Hungaria, Holender dhe Nikoliç kanë lindur në Serbi.

Ndryshimi i fanellës
Në Spanjë shkaktoi reagime të forta javën e kaluar një pyetje që iu bë Aimerik Laportes, francezit që sapo ka kaluar te “furitë e kuqe”. Atij iu kërkua se sa e ndjen fanellën, flamurin dhe kombin. Laporte u përgjigj me diplomaci, por debati për transformimin e kombëtareve në një klub, me një lloj “blerjesh” të lojtarëve, mbetet i hapur. Laporte ka luajtur më shumë se 50 ndeshje me moshat e Francës, ka qenë kapiten dhe zëvendëskapiten i U-19-ës. Së fundi ka pasur pak hapësira, pasi te Franca luajnë Varane, Kounde, Kimpembe e të tjerë, ndaj përqafoi Spanjën.

Uilli Orban ka luajtur me Kimish tek U-21 gjermane dhe kishte deklaruar se nuk do të vishte asnjëherë fanellën e Hungarisë, me të cilën luan tani. Talenti gjerman Jamal Musiala ka zbritur në fushë me Anglinë U-21. Uellsiani Bruks në 2017-ën i kishte thënë “Jo” Uellsit, kur e kërkoi për turneun e Tolon: debutoi me Anglinë (me Ris Xhejms, sot kundërshtari i tij i mundshëm), fitoi dhe doli lojtari më i mirë. Sot mbron ngjyrat e Uellsit, si Etan Ampadu, një tjetër lojtar që me të rinjtë luajti me Anglinë (mund të bënte me Irlandë dhe Ganën), ashtu si Tajler Roberts.

Uilli Orban, lojtari i Hungarisë. Gazeta Si, 11 qershor 2021

Loik Nego ka lindur në Paris dhe te të rinjtë ishte shok ekipi me Grizman dhe Lakazet: sot është hungarez. Turku Kan Ajhan doli i treti në Botërorin U-17 në 2001-shin me Gjermaninë, pasi kishte luajtur me të rinjtë gjermanë. Pastaj u kthye të veshë fanellën e vendit të prindërve. Te Turqia është edhe Orkun Kokçu, talenti i Fejnordit i lindur në Harlem dhe me disa ndeshje U-18 dhe U-19 të Holandës para se të ndërronte ekip. Maqedonasi Arjan Ademi ka tri ndeshje me Kroacinë, Adama Traore ka flirtuar me Malin para se të zgjidhte Spanjën.

Familje të ndara
Pastaj janë edhe ata që kanë bërë zgjedhje të ndryshme nga ato të familjarëve të tyre. Tiago Alkantara luan për Spanjën, vëllai Rafinja zgjodhi Brazilin e babait Mazinjo. Janë edhe vëllezërit Xhaka, Graniti me Zvicrën dhe Taulanti me Shqipërinë. Lukaku është djali i një ish-lojtari të kombëtares së Zaires, kurse Leroi Sane është djali i një ish-lojtari të Senegalit.

Taulant dhe Granit Xhaka. Gazeta Si, 11 qershor 2021

Vëllezërit e Pogbasë dhe Mandandës luajnë ose kanë luajtur me kombëtaret e Guinesë dhe Kongos, nëna e finlandezit Ivanov ka qenë lojtare e kombëtares së volejbollit të Estonisë. Ndryshe është rasti i sllovakut Vladimir Veis: babai dhe gjyshi i tij, edhe ata të quajtur Vladimir, kanë veshur fanellën e Çekosllovakisë në kohën e tyre, pasi dy vendet ishin të bashkuar.

Brazilianë për të gjithë
Natyrisht, nuk do të mungonin brazilianët e natyralizuar. Italia ka tre të tillë, Toloin, Zhorzhinjon dhe Emerson Palmierin. Te Portugalia është Pepe i përjetshëm, te Rusia Mario Fernandes, i cili pas 10 vitesh në Moskë nuk e ka mësuar ende gjuhën ruse, te Ukraina ka mbetur Marlos.
Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë