Politike

Blinken: Po intensifikojnë luftën kundër korrupsionit. Ambasada e SHBA: Referencë e qartë për Shqipërinë

Pas urdhrit ekzekutiv të presidentit Joe Biden, për të futur në listën e zezë të gjithë zyrtarët që cënojnë stabilitetin në Ballkan, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ripohoi sot angazhimin e Uashingtonit për të luftuar korrupsionin në vendet e rajonit.

“Shtetet e Bashkuara janë të ndërgjegjshme se korrupsioni kërcënon barazinë ekonomike, luftën kundër varfërisë, përpjekjet për zhvillimin ekonomik, si dhe vetë demokracinë. Korrupsioni, kudo që të jetë, dëmton drejtpërdrejtë politikën e jashtme, sigurinë kombëtare dhe ekonominë e Shteteve të Bashkuara, si dhe aleatët e partnerët tanë”, thekson zoti Blinken.

Ai tha se SHBA po punojnë për të zgjeruar hartën dhe kriteret e vendosjes së sanksioneve ndaj individëve dhe organizatave që përfshihen në korrupsion dhe krim të organizuar në Ballkanin Perëndimor.

“Shtetet e Bashkuara”, thekson zoti Blinken, “janë të angazhuara për të nxitur llogaridhënien si dhe për të luftuar pandëshkueshmërinë ndaj atyre që janë përfshirë në raste madhore korrupsioni në Ballkanin Perëndimor dhe kudo në botë”.

Duke e shpallur luftën kundër korrupsionit si një prioritet të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, administrata Biden duket se është e përgatitur të mbajë ndaj individëve, që beson se përfshihen në akte madhore korrupsioni dhe që minojnë shtetin ligjor, të njejtin qëndrim si ndaj atyre që kanë rrezikuar paqen në Ballkanin Perëndimor.

Sipas zotit Blinken, urdhëri i fundit ekzekutiv i Presidentit Biden zgjeron hartën e sanksioneve në Ballkanin Perëndimor duke përfshirë disa marrëveshje të viteve të fundit, siç është ajo e Prespës e vitit 2018, apo zgjatja e mandatit të Gjykatës së Hagës për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi.

Veç atyre që rrezikojnë paqen e sigurinë, sanksione mund të vendosen tani edhe ndaj individëve që destabilizojnë rajonin duke minuar insitucionet demokratike dhe shtetin ligjor, ose që shkelin të drejtat e njeriut.

Për të goditur në mënyrën më të mirë rrjetet e korrupsionit të shtrira në Ballkanin Perëndimor, thekson Sekretari Blinken, Urdhëri Ekzekutiv përfshin tani edhe Shqipërinë.

Deri tani, Urdhëri Ekzekutiv, një vazhdimësi në vite e qëndrimeve të administratave të ndryshme amerikane që nga viti 2001, përfshinte vetëm vendet e dala nga shpërbërja e dhunshme e ish Jugosllavisë.

Sipas Sekretarit Bliken “Urdhëri Ekzekutiv autorizon vendosjen e sanksioneve ndaj individëve, apo enteve, që janë përgjegjëse për korrupsion në rajon, që janë përfshirë në përvetësim fondesh publike, tjetërsim pronash private për përfitime personale apo politike, ose të përfshirë në ryshfete. Pronat, ose interesat në prona të ndryshme, që personat e përcaktuar në bazë të Urdhërit Ekzekutiv, kanë në Shtetet e Bashkuara, ose që kanë lidhje me Shtetet e Bashkuara, apo bien në duar të personave në Shtetet e Bashkuara, do të bllokohen dhe shtetasit amerikanë janë të ndaluar të kryejnë transaksione me ta. Veç kësaj, individët, që përcaktohen në bazë të këtij urdhëri, nuk do të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”, thekson Sekretari Blinken.

Një reagim i dytë ka ardhur nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila thekson se një referencë e qartë për Shqipërinë bën të qartë se Urdhri Ekzekutiv është në përputhje me punën që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë bërë për të integruar rajonin në strukturat Europiane dhe Euro-Atlantike. Sipas ambasadës Urdhri Ekzekutiv i djeshëm është një mjet jetik drejt arritjes së këtij qëllimi të përbashkët.

Presidenti Joe Biden miratoi një Urdhër Ekzekutiv (E.O.) të ri dje, i cili autorizon përdorimin e sanksioneve kundër personave të përfshirë në një sërë aktivitetesh destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, përfshirë personat e angazhuar në përpjekje që kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal; cënojnë proceset demokratike; dhe përfshihen në korrupsion në lidhje me rajonin ndër aktivitete të tjera. Një referencë e qartë për Shqipërinë bën të qartë se Urdhëri Ekzekutiv është në përputhje me punën që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë bërë për të integruar rajonin në strukturat Europiane dhe Euro-Atlantike. Urdhri Ekzekutiv i djeshëm është një mjet jetik drejt arritjes së këtij qëllimi të përbashkët”, thekson ambasada.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë