8 qershor 1915, mori fund kryengritja e Haxhi Qamilit kundër vendosjes së princ Vidit në qeverinë e Shqipërisë nga fuqitë europiane. Lëvizje që nisi më 17 maj 1914.
Lëvizja e nxitur nga forcat osmane, Haxhi Qamili dhe fshatarë të tjerë (siç i referohen historianët) të Durrësit, Tiranës dhe Shijakut kërkonin rikthimin e një lideri osman ose të paktën marrëdhënie të ndërlidhura me Perandorinë Osmane për drejtimin e Shqipërisë dhe jo europianë, e aq më pak shqiptarë. Nën thirrjet “dum babën”, (referuar sulltanit të Perandorisë Osmane) kryengritësit morën Shijakun dhe iu drejtuan kryeqytetit, Durrësit.
Njëkohësisht, Esat Pashë Toptani po komplotonte kundër princ Vidit, ndërkohë që jugu i vendit po mbahej nga grekët e shtirur si vorio-epirotë.
Më 19 maj 1914, princ Vidi dha urdhër të arrestohej Esat Pashë Toptani si pjesë e kryengritësve, por ai u largua nga vendi i lirë.
Në një kaos të tillë, Vidi i dha urdhër Turhan Pashë Përmetit të formonte kabinetin e ri qeveritar.
Ndërkohë, kryengritësit hartuan memorandumin e Shijakut, ku i kërkonin Princ Vidit të largohej dhe në vend të tij ata propozuan ardhjen e një princi turk. Gjithashtu simbolet kombëtare shqiptare do të zëvendësoheshin me simbolet turke.
Në vend, më 5 qershor hynë në vend forcat matjane të Ahmet Zogut të cilët pas një tentative të dështuar për bashkëpunim me Haxhi Qamilin, vendosën të kthehen nga ana e Vidit.
Gjatë fundit të qershorit dhe fillimit të korrikut, Kryengritja anti-Vidi morri pjesën më të madhe të qyteteve, Krujën, Lushnjën, Pogradecin, Fierin, Kavajën, Beratin, Elbasanin. Më pas ata nënshkruan një marrëveshje antikombëtare me vorio-epirotët duke ju lënë atyre nën dorëzim Gjirokastrën dhe Korçën.
Më vajtjen në Vlorë, Haxhi Qamili ngriti flamurin turk aty, 2 vite pas ngritjes së flamurit shqiptar me shpalljen e pavarësisë.
Në fillim të shtatorit 1914, princ Vidi u largua nga Shqipëria, që përkonte edhe me Luftën e I Botërore. Thirrjeve të tij për ndihmë nuk iu përgjigj askush, përveç Ahmet Zogut.
Me pushtimin total të Durrësit, kryengritësit krijuan “Këshillin e Përgjithshëm" me kryetar Mustafa Ndroqin duke shënuar nisjen e fazës së dytë të kryengritjes; sulmi i pronave dhe njerëzve të Esat Pashës.
Më 2 tetor 1914, Esat Pashë Toptani i mbështetur nga forcat serbe hyri në Durrës, largoi kryengritësit dhe shpalli veten Kryeministër të shqiptarëve.
Në prag të ndërrimit të viteve 1914-1915, grupi i Haxhi Qamilit sulmojnë përsëri forcat e Esatit, duke nisur një terror dhe anarki për 6 muaj me radhë. Çdo ditë vriteshin dhe masakroheshin klerikë, civilë, tregtarë, intelektualë, njësoj me to edhe ekonomia e vendit.
Trupat serbe hynë masivisht në Shqipëri duke ndaluar kryengritësit dhe duke arrestuar Haxhi Qamilin më 8 qershor 1915 dhe duke e dënuar atë me varje, bashkë me 40 fshatarë të tjerë.
Vendi ngeli në një kaos dhe anarki pas kryengritjes dhe nën drejtimin e Esat Pashës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.