Ngjarje

Vrasja mes shokëve në lokal, dërgohet për gjykim dhëndri i Qazim Sejdinit

Prokuroria e Elbasanit ka dërguar për gjykim Sokol Sanxhaktarin, dhëndrin e ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini si dhe Adriano Hajdarin.

Ndaj tyre rëndon akuza për vrasje të kryer në bashkëpunim, pasi akuzohen se mëngjesin e 30 korrikut vranë sende të forta shokun e tyre Florian Lamçe, teksa kishin qenë duke pirë për disa orë në një lokal.

Pas ngjarjes, Sanxhaktari tha për policinë se me viktimën kanë pasur miqësi. Sipas tij, takimi në lokal ka kaluar mes pijeve të ndryshme dhe ai nuk kujton se çfarë ka ndodhur atë mbrëmje.

“Florin e kam shok. U takuam pasdite dhe kemi qenë në disa lokale. Në darkë u ulëm me Ardianon dhe me Florianin në lokal dhe kemi pirë pije të ndryshme. Nuk e kujtoj as si nisi debati dhe as pse më qëlloi dhe e qëllova. Jam i tronditur. Nuk e di si ka ndodhur. Ne jemi miq”, – ka thënë ai.

Sokol Sanxhaktari, është një personazh i njohur për drejtësinë. Ai është akuzuar se ka kryer një sërë veprash penale, por gjithmonë ka rifituar lirinë.

Sanxhaktari njihet edhe si miku i afërt i Sokol Çelës, i akuzuar si i përfshirë në ngjarjen që ndodhi mesnatën e 18 shtatorit 2019, kur një automjet i blinduar tip “Audi A8” goditi makinën e policisë, ku nddodhej ish-zv.drejtori i Policisë së Qarkut, Gjergji Oshafi.

Në gjyq kanë përfunduar dhe Amadeus Lamçja, 40 vjeç për “moskallëzim krimi”, “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “deklarim të rremë” si dhe Mehmet Muça, 33 vjeç për të njëjtat vepra penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë