Histori

Revolucioni i Qershorit, a do ishte Shqipëria më e zhvilluar nëse Noli do kishte qeverisur gjatë?

Më 24 maj të 1924-s në Shqipëri do të niste një kryengritje që në histori njihet si Revolucioni i Qershorit apo “Revolucioni Demokrat Antiborgjez”.

Kryengritja u drejtua nga Fan Noli, Luigj Gurakuqi dhe Bajram Curri dhe nisi si rebelim kundër forcave borgjeze dhe feudalëve.

Kjo revoltë shpërtheu disa muaj pas largimit të Ahmet Zogut nga posti i kryeministrit dhe një muaj pas vrasjes së Avni Rustemit.

Më 16 qershor të vitit 1924 në Shqipëri do të formohej qeveria e përkohshme e kryesuar nga Fan Noli.

Por çfarë solli i ashtuquajturi Revolucion dhe Qeveria e Fan Nolit dhe sa rëndësi ka për historinë e vendit tonë? A ishte e parakohshme figura e Fan Nolit për të qeverisur një vend me prapambetje të thellë?

Nëse në vend të Ahmet Zogut do të kishte qeverisur Noli, Shqipëria do të ishte më e mirë apo më e keqe?

Gazeta “Si” për të pasur një këndvështrim të sotëm të kësaj ngjarjeje me peshë historike, ka folur me historianë, të cilët sjellin një tablo më të plotë. 

Historiani Beqir Meta shprehet se kjo kryengritje nuk ishte në parametrat e mirëfillta të revolucionit.

“Kur kryengritja filloi nuk kishte asnjë program politik, nuk kishte asnjë shtab politik, i cili të kishte një program të përcaktuar për transformime të tilla, madhore, por ishte një konflikt i brendshëm politik, i cili kishte degraduar në një kryengritje të armatosur, kështu që ngjarjet e qershorit të 1924, më së shumti mund të quhen një kryengritje e armatosur antiqeveritare”, shprehet historiani Beqir Meta për Gazetën “Si”.

Historiani Beqir Meta

Të njëjtin qëndrim lidhur me faktin nëse kjo kryengritje ishte revolucion apo jo mban edhe historiani Sali Kadria. Sipas tij, ajo ngelet në kuadrin e një lëvizjeje kryengritëse.

“Lëvizja politike që solli në pushtet Fan Nolin, është përcaktuar më herët nga historiografia shqiptare, si ‘Revolucioni Demokratik i Qershorit të vitit 1924’. Në të vërtetë, kjo ngjarje nuk ishte një ‘revolucion’ në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, njëherësh nuk ishte as ‘demokratik’, pasi nuk solli ndonjë ndryshim thelbësor pozitiv në rrjedhën historike të Shqipërisë, por edhe për faktin se shumica e shqiptarëve mbajti një qëndrim apatik ndaj Lëvizjes kryengritëse të Qershorit 1924. ‘Revolucioni i Qershorit’ ishte një lëvizje kryengritëse, e cila u organizua nga drejtuesit e opozitës në bashkëpunim me disa ‘oficerë të pakënaqur’, duke marrë formën e një grushti shteti”, thotë historiani Sali Kadria për Gazetën “Si”.

Historiani Meta është disi skeptik edhe sa i përket rëndësisë që ka pasur ky ‘revolucion’ në historinë e vendit tonë.

“Është pretenduar që ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme historike dhe solli erën e re të ndryshimeve në historinë e Shqipërisë. Në fakt, kjo kryengritje nuk është se kishte një rëndësi të tillë, për faktin se grupet e ndryshme të opozitës të cilat u organizuan ushtarakisht për të përmbysur qeverinë, nuk kishin një program të përbashkët, madje grupet që kishin forca ushtarake nuk ishin asnjëra për të kryer reformën agrare, apo për të sjellë ndryshime të mëdha, por që nuk mund të realizoheshin në rrugë revolucionare siç u tentua, siç është pretenduar të paraqitet kjo ngjarje. I vetmi segment politik që donte ndryshime revolucionare ishte grupi i Nolit që kishte mbështetësit e tij disa politikanë, të cilët kishin qenë më parë, aktivistë të shoqërisë “Vatra” në SHBA dhe organizata Bashkimi, e cila ishte jashtë politikës por që mori pjesë në kryengritje. Por këta ishin segmenti më i parëndësishëm nga pikëpamja e forcës dhe ndikimit politik në vend”, vijon më tej Meta.

Fan Noli, ish-kryeministër i Shqipërisë

Qeveria e Nolit e cila u krijua më 16 qershor të vitit 1924 përcaktonte në programin e saj 20 pika, i cili për kohën është cilësuar perëndimor dhe mjaft ambicioz. Ai parashikonte në vija të përgjithshme, çrrënjosjen e feudalizmit në Shqipëri; çarmatimin e përgjithshëm të popullsisë; vendosjen e demokracisë në Shqipëri; reforma radikale në të gjitha degët e administratës civile dhe ushtarake; përmirësimin e gjendjes së bujkut dhe emancipimin ekonomik të tij; lehtësimin e kapitalit të huaj dhe mbrojtjen e organizimin e kapitaleve të vendit; marrëdhënie fqinjësore me të gjitha shtetet dhe veçanërisht me ato fqinje; dënimin e kundërshtarëve politikë.

Por, përpos programit përparimtar, Meta thotë se ishte një qeveri e përçarë dhe nuk kishte një imunitet politik të brendshëm.

“Qeveria e Nolit nuk kishte një imunitet politik të brendshëm përkundrazi, ishte një qeveri e përçarë, të cilat vinin nga fakti që grupe të ndryshme kishin qëllime të ndryshme, pra ishte qeveri e pafuqishme dhe gjendja politike në vend shkoi në prag të anarkisë”, thotë Meta.

Historiani Meta vlerëson kontributin e Fan Nolit në shumë çështje të vendit, por është kritik ndaj figurës së tij si politikan. 

“Noli ka qenë një njeri patriot, një njeri që ka dhënë një kontribut të madh për çështjet shqiptare, kishte dhënë kontribut për Pavarësinë e Shqipërisë, mbrojtjen e territorit të shtetit shqiptar, si letrar, si publicist, një aset i madh për Shqipërinë, por në opozitë ka mbajt një qëndrim në linjën e demokratizimit të vendit, por qenia e tij si kryeministër bashkimi i tij me kryengritjet e qershorit i solli atij minuse në karrierën e vet politike”, thekson historiani Meta.

Historiani Sali Kadria

Ndërkohë, Kadria shprehet se Noli si politikan nuk u përshtatej kushteve të Shqipërisë së asaj periudhe.

“Mendoj se ardhja në krye të Shqipërisë e Fan Nolit ishte e parakohshme, sepse vendi gjatë periudhës së viteve 1920 ishte mjaft i prapambetur dhe me probleme të shumta të brendshme dhe të jashtme. Gjithashtu, kam mendimin se Noli nuk u përshtatej kushteve të Shqipërisë së asaj periudhe. Ai vinte në Shqipëri me mendime liberale moderne që u kultivuan tek ai gjatë qëndrimit në SHBA. Në të vërtetë, Fan Noli nuk ishte një njohës i mirë i gjendjes së brendshme politike të Shqipërisë dhe i mentalitetit të shqiptarëve”, thotë Kadria, ndërsa shton se “Noli në fushën politike nuk shkëlqeu si në fushat e tjera”.

Historiani Meta thotë se në atë periudhë që qeverisi Noli, u provua katërcipërisht se Shqipëria nuk “lulëzoi”.

“Nolit iu dha shansi të qeveriste dhe në ato 6 muaj të qeverisjes ai provoi që Shqipëria ishte katërcipërisht shumë herë më e keqe. Ndërsa Zogu kishte qeverisur si kryeministër nga dhjetori i vitit 1922 deri në mars të vitit 1924, kur dha dorëheqjen. Ai ishte njeriu që kishte vendosur stabilitetin dhe shteti kishte funksionuar në mënyrë pak a shumë normale deri kur kryhet kryengritja e qershorit”, vijon Meta.

“Nuk mund të shprehem nëse Noli apo Zogu do të ishte më i mirë apo më i keq për drejtimin e Shqipërisë, por mund të theksoj mendimin e shprehur nga diplomatë se Ahmet Zogu ishte i lindur nga natyra për t’u marrë me politikë”, përfundon Kadria për Gazetën “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë