Pas më shumë se gjashtë muaj bllokade, Bashkimi Europian duket se është duke e bindur Bullgarinë për të hequr dorë nga vetoja ndaj integrimit të Maqedonisë së Veriut.
Sofja, e cila ka vënë veton që në fund të vitit 2020, duke bllokuar edhe hapjen e negociatave me Shqipërinë, ka sinjalizuar të martën se do të ndryshojë qëndrim, duke hapur rrugën për mbajtjen e konferencës së parë ndër-qeveritare me të dyja vendet.
Në një deklaratë nga Brukseli, ku u takua me një sërë liderësh europianë, presidenti bullgar Rumen Radev deklaroi se vendi i tij mbështet integrimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Por ai paralajmëroi se pavarësisht se mbështet progresin e Shkupit, anëtarësimi duhet të bazohet në respektimin e disa kritereve.
Ai pranoi se liderët e unionit i kanë bërë presion për të hequr veton, dukë bërë që Bullgaria të rimendojnë pozicionin e saj ndaj negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë .
“Prej disa kohësh, unë kam marrë ftesa për bisedime nga udhëheqësit dhe liderët evropianë. Tema është shumë e ndjeshme, kërkesat janë shumë të mëdha. Unë nuk do ta fsheh, ata janë përqendruar tek Bullgaria dhe të gjithë kanë pritshmëri që të tërhiqemi nga ky vendim. Unë e kam bërë pozicionin bullgar shumë të qartë – së pari, Bullgaria është mbështetësi më i fortë i perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Por Shkupit duhet të zotohet për disa premtime”, deklaroi ai.
Bashkimi Europian ka ndërmarrë javën e fundit një mision të vështirë për mbajtjen e konferencës së parë ndër-qeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në qershor, dukë bërë të mundur kështu hapjen de facto të kapitujve të anëtarësimit. Ky është shansi i fundit i unionit për të bërë të mundur përparimin real në bisedimet me dy vendet përpara se Presidenca Portugeze e BE-së të dorëzojë detyrën, duke i shtyrë negociatat për në vjeshtë.

Në përpjekje për të bindur Bullgarinë të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, komisioneri i BE-së për Zgjerim, Oliver Varheliy dhe krye diplomati portugez, Augusto Santosh Silva ishin të premten në Shkup dhe Sofje.
Sipas raporteve nga Brukseli, ata dorëzuan një propozim konkrete për zhbllokimin e vetos së Bullgarisë. Dy zyrtarët biseduan me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, si dhe kryeministrin në detyrë, Stefan Yanev i cili po udhëheq qeverinë teknike, e cila duket më e brishtë përballë presionit europian.
Qeveria e përkohshme e Bullgarisë mori detyrën në 12 maj dhe tha se nuk ka autoritet të anulojë ndalimin e vendosur nga kabineti i mëparshëm në fillimin e bisedimeve midis BE dhe Maqedonisë së Veriut. Sidoqoftë, Sofja ka qenë nën presion të konsiderueshëm ndërkombëtar për të gjetur një kompromis.
“Ne jemi të hapur për dialog,” tha së fundmi kryeministri Yanev. Ai shtoi se qëllimi është që të arrihen rezultate të qëndrueshme dhe të pakthyeshme në rivendosjen e besimit midis dy shteteve.
“Ajo që nevojitet është, nga njëra anë, qëndrueshmëria dhe, nga ana tjetër, një qëndrim konstruktiv në dialogun dypalësh. Qëllimi është që të arrihen rezultate të qëndrueshme dhe të pakthyeshme në rivendosjen e besimit midis dy vendeve,” tha kryeministri , sipas një deklarate të ministrisë së jashtme.
Misioni i BE-së për të përshpejtuar hapjen e negociatave vijon sot me ministrin gjerman për Europën, Michael Roth që do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shkup dhe Tiranë. Në një postim në Twittër ai thotë se ka ardhur koha që unioni të mbajë fjalën për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me të dyja vendet.
“Drejt Shkupit dhe Tiranës! Koha e duhur që BE të mbajë premtimet e saj dhe për të filluar bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është Europa. Veproni me vendosmëri tani në mënyrë që rajoni të mos ketë më dyshime për këtë”, thotë ministri gjerman.
Berlini zyrtar mësohet se ndodhet po ashtu në negociata me Bullgarinë për tërheqjen e vetos dhe po punon intensivisht që konferenca e parë ndër-qeveritare të mbahet me të dyja vendet në qershor.
Sofja thotë se dëshiron që Maqedonia e Veriut të pranojë që gjuha maqedonase është një dialekt bullgar dhe se kombi maqedonas u krijua artificialisht në 1944 dhe të pranojë se nuk ka asnjë pakicë maqedonase në Bullgari. Ajo insiston gjithashtu në rishkrimin e teksteve shkollore të historisë.
Por në mënyrë që hapja de facto e kapitujve të i integrimit të mos shtyhet edhe më shumë apo që negociatat të vazhdojnë vetëm me Tiranën, diplomatët e BE-së shkuan në Bullgari me një propozim kontret.
Shtylla e këtij propozimi mbetet që autoritetet e Shkupit të pranojnë se “gjuha maqedonase është kodifikuar në vitin 1945, por duke shmangur kërkesën e palës bullgare që të përcaktohet prejardhja e gjuhës maqedonase”. Propozimi vjen pasi kryeministri Zoran Zaev e ka bërë derisa herë të qartë në BE se gjuha dhe historia maqedonase mbeten të panegociueshme. Nga ana tjetër qeveria e përkohshme bullgare nuk e pranoi as këtë propozim, por kërkoi uljen në bisedime me palën maqedonase për gjetjen e një zgjidhjeje.
Në një shenjë tjetër të marrëdhënieve të ngrohjes, presidentët e të dy vendeve, kreu i shtetit të Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski dhe kolegu i tij bullgar Rumen Radev, do të vizitojnë Romën së bashku në 27 maj për të bërë homazhe ndaj apostujve Shën Kirili dhe Metodi.
Ministri i jashtëm maqedonas, Bujar Osmani deklaroi po ashtu në një intervistë televizive së fundmi se është optimist se Bullgaria do të tërheqë veton, duke thënë se Sofja zyrtare është mes të tjerash e shqetësuar edhe për destabilizimin e mundshëm të rajonit, nëse integrimi shtyhet më tej.
“Bullgaria nuk mendoj se do të jetë pengesë në samitit e qershorit të BE-së sepse dëshiron Ballkan të qëndrueshëm”, deklaroi Osmani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




