Lojëra me Dore

Tsitsipas fiton edhe turneun e Lionit, tani shënjestron Roland Garros

Vjen titulli i dytë sezonal për Stefanos Tsitsipas, i dyti në dheun e kuq pas Masters 1000 të Montekarlos. Në Atp 250 të Lionit, greku nuk pati vështirësi për të fituar finalen ndaj britanikut Kameron Norri, edhe pse ky i fundit ka treguar se është një nga lojtarët më në formë të 2021-shit.

Tsitsipas e mbylli ndeshjen me dy sete nga 6-3, për një e 9 minuta, duke mos dhënë asnjëherë përshtypjen se do të rrezikonte në këtë finale ndaj një kundërshtari, që nuk kishte “armët” për ta vënë në vështirësi. Norri nga ana e tij ka bërë progres në fushat me dhe, një terren që është larg nga karakteristikat e tij teknike, por këtë herë ai është pushtuar nga emocionet dhe nuk ka gjetur zgjidhjet më të mira gjatë ndeshjes.

Stefanos Tsitsipas gjatë finales së Lionit. Gazeta Si, 24 maj 2021

Stefanos Tsitsipas ka konfirmuar aftësitë e tij për t’i luajtur me autoritet ndeshjet vendimtare, sidomos në 250, ku ka 5 fitore në 5 finale. Në total, triumfet e grekut në turet e mëdha janë shtatë, por tani përqendrimi i tij është i gjithi te Roland Garros, objektivi i vërtetë i kësaj pjese të sezonit. Përveç të zakonshmëve Rafael Nadal dhe Novak Gjokoviç, duket se është pikërisht Stefanos Tsitsipas kandidati i tretë për të fitimin e turneut të madh francez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë