Kuvendi ka futur në procedurë të përshpejtuar miratimin e licencave për individët dhe subjektet që duan të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregun e kriptomonedhave. Ndërhyrja bëhet në ligjin e 2009-ës për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikësn e Shqipërisë, ku Qeveria propozon shtimin e një kapitulli me titullin “Teknologjia financiare”.
Ligji që i hap rrugë tregut të kriptomonedhave në vendin tonë u miratua në shtator të vitit të kaluar. Mes parashikimeve të këtij ligji janë edhe përcaktimet se licencat për ushtrimin e veprimtarisë në këtë fushë jepen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Infromacionit, që është në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit.
Kriteret e mëtejshme për grupet e licencimit, kushtet e posaçme të tyre dhe dokumentat shoqëruese që paraqiten për pajisjen me licencë, si dhe afati i vlefshmërisë së licencës dhe afatet e vendimmarrjes do të përcaktohen nga Qeveria.
Projektligji i propozuar parashikon dy lloje licencës; licenca e agjentit, që lëshohet vetëm nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Licenca e Bursës, që lëshohet nga AMF dhe AKSHI. Kjo lloj licence ndahet në tri kategori.
Kategoria e parë përfshin licencat e bursës së centralizuar, DLT dhe licencat e decentralizuara të bursës DLT. Zotëruesit e licencës së kësaj kategorie mund të tregtojnë vetëm tokenë digjitalë shërbimesh, pagesash ose asetesh.
Kategoria e dytë e licencës parashikon që përveç tregtimit të përcaktuar në kategorinë e parë, zotëruesit e këtyre licencave mund edhe të tregtojnë paranë digjitale, njohur gjerësisht si kriptomonedha me paranë tradicionale.
Licenca e kategorisë së tretë, përveç listës së shërbimeve që mund të kryejnë në licencën B ka ekstra edhe lejen për tregtimin e tokenëve digjitalë të titujve.
Institucionet që detyrohen t’i nënshtrohen këtij projektligji janë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Qendra Kombëtare e Biznesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.