Treg

Skema e TVSH për qumështin po rëndon më të varfrit

Brenda dy vjetësh çmimi i një litri qumësht është rritur nga 90 lekë në 130 lekë

Nga Megi Iskurti - Ende pas dy vjetësh, nuk është zgjidhur ngërçi që shkaktoi skema e re e TVSH-së në sektorin e përpunimit të qumështit, e cila u prit me ankesa, diskutime dhe bojkote nga kompanitë agropërpunuese.

Ulja e TVSH-së së rimbursueshme nga 20% në 6% po ndikon negativisht në ecurinë e aktivitetit sipas përfaqësuesve të industrisë, të cilët vazhdimisht kanë njoftuar ashpër se reagimet e tyre mund të përshkallëzohen deri në pikën ku ata nuk do ta furnizojnë më tregun me produkte bulmeti.

Ky ligj u kërkon industrialistëve dhe tregtarëve që t’u japin fermerëve 14% më pak në çmim dhe këtë 14% ata do duhet që ta derdhin në buxhetin e shtetit si një taksë shtesë për prodhimin bujqësor dhe fermerët vendas.

Ndryshimi bëri që pikat e grumbullimit të ulnin çmimin me të cilën i blinin qumështin fermerit, madje ata preferuan që t’i drejtoheshin tregut të huaj dhe për pasojë fermerët e derdhnin qumështin e tyre në shenjë proteste.

Kur debatet mbi këtë temë ishin ende të nxehta, Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi citonte se asgjë nuk do të ndodhte  për të çekuilibruar këtë sektor  të rëndësishëm sepse ata kishin vendosur që  të gjithë humbjen që ishte krijuar nga ndryshimi i paketës fiskale në lidhje me kompensimin e produkteve bujqësore, do ta kompensonin.

Por kjo gjë duket se nuk ka ndodhur dhe çështja ende po zvarritet e qëndron në vëmendje edhe tanimë pas dy vitesh.

Problematikat kuptohen më nga afër nga një pikë grumbullimi qumështi, siç është “Ngota” e cila tregoi për gazetën “SI” disa prej tyre.

“Problemi kryesor nuk është vetëm fakti që ne duhet tu paguajmë 14% më pak fshatarëve por gjithashtu edhe informaliteti.

Po shtohen gjithnjë e më shumë baxho informale të cilat marrin fluksin që duhet të kishte puna jonë sepse fermerët përfitojnë më shumë duke bashkëpunuar me ta. Kjo është një gjë jo e ndershme që ndikon shumë tek ne sepse ata tregtojnë tërësisht pa fatura.

Gjithashtu, baxhot nuk i kushtojnë shumë rëndësi higjenës dhe ky është një tjetër problem i shtuar që rëndon mbi këtë situatë.

Ka dy vite që në ankohemi dhe kjo gjë do të japë edhe efekte të caktuara edhe tek bujqit.

Efektet e ndryshimeve fiskale kanë ndikuar shumë në mënyrën se si ne bëjmë biznes këto dy vite.

Disa herë janë kërkuar takime me Ministrinë e Financave pasi duhet parë edhe infrastruktura në Shqipëri , pra sa e mundur është të konkretizohet një gjë dhe jo vetëm të shihet në parim.

Nuk mund të shkojmë te fshatarët dhe t’u themi me tvsh apo pa tvsh sepse atyre nuk u intereson, atyre u intereson vetëm çmimi fiks.

Si pasojë e gjithë kësaj situate janë rritur edhe çmimet si për qumështin ashtu edhe për kosin.

Nëse në 2019  një litër qumësht ishte 90 lekë sot është 130 lekë.

Ky ndryshim do të shkatërrojë prodhimin vendas , do të cënojë sigurinë ushqimore dhe do të favorizojë importet.”

“Albanian Food Industry” ka ngritur vazhdimisht problematikat që ka nxitur ky vendim.

Drejtuesi i saj, Alban Zusi, tregoi për gazetën SI disa nga alternativat e mundshme që mund të dërgojnë në zgjidhjen e këtij problemi.

Alban Zusi, drejtues i Albania Food Industry

“Alternativa e parë është rikthimi i TVSH-së aty ku ka qenë në nivelin 20%.

Alternativa e dytë është ulja e TVSH-së e produkteve të bulmetit në nivelin 6% dhe me këtë rast ne shkojmë në të njëjtën linjë me vendet e BE ku qumështi në asnjë prej tyre nuk e ka TVSH-në më shumë se 6%.

Gjithashtu është dhe barazimi i TVSH-së në një nivel 10%,  pra 10% në blerje dhe 10% në shitje.

Janë përpjekur me kompesime dhe rimbursime por kjo do fonde dhe struktura.

Kjo është një skemë që funksionon automatikisht, kur TVSH-të janë të barazuara nuk ka më ngërçe dhe në këtë rast i shërben fermerit si një lloj subvencioni sepse industria duke e pranuar shitjen nga fermeri i thjeshtë me autofaturë sikur po e merr me TVSH, atëherë i bie që shteti në njëfarë mënyre duke mos ia kërkuar TVSH-në fermerit është sikur ta ketë subvencionuar në njëfarë mënyre.

Ky subvencion nuk krijon problem as me vendet e rajonit dhe as me vendet e BE sepse ajo bëhet për të luftuar informalitetin, ul kostot për industrinë dhe njëkohësisht mbështet fermerin.”-citoi ai ku gjithashtu shtoi se kjo gjë ka rritur taksën mbi fruta-perimet dhe mishin.

“Qumështi ishte më i ndjeshëm sepse është konsum i përditshëm dhe është e vështirë të shesësh në informalitet për shkak se ai kalon në faza përpunimi ndërsa frutat dhe perimet ashtu si dhe mishi kaluan në informalitet të plotë.

Taksën fiskale në këtë mes u desh që ta paguanin kosumatorët.

Produktin vendas të bulmetit e konsumon shtresa e varfër dhe e mesme e popullsisë sepse shtresa e pasur konsumon produkte të huaja.

Rrjedhimisht është rritur kostoja e jetës për këto dy shtresa.”

Kjo skemë e cila prish ekuilibrin po kthehet gradualisht në bumerang teksa rrit informalitetin, rrit çmimet e produktit final dhe të importeve e nga ana tjetër ul fitimet e fermerëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë