Ana e errët

“Vrasja për shaka”, të gjithë dëgjuan krismën, askush s’pa gjë… Djemtë e “5 Majit” shpërthejnë në lot në Gjykatë

Me vështrimin të përhumbur dhe shpesh duke e mbajtur kokën mes pëllëmbëve secili nga pesë të arrestuarit për vrasjen e Mehmet Qemës, dëgjoi prokurorinë që kërkoi arrest me burg për shokun e viktimës dhe masa më lehtësuese për katër të tjerët.

Të veshur sportivë, ata dolën para gjykatës disa orë mbas vetëdorëzimit teksa katër nga shokët këmbëngulin se nuk panë asgjë. Megjithatë ky version hidhet poshtë nga kamera e sigurisë që tregon se si vrasësi luante me pistoletën tip "Walter" dhe të tjerët herë shkruanin, herë konsumonin sanduiçë e pinin pije energjike dhe në fraksion minutash i hidhnin shikimin indiferentë shokut që lunate me pistoletë.

Marjus Dema këmbënguli mes lotëve se e kishte mik për kokë Mehmet Qemën dhe ashtu siç dëshmoi në polici fill mbas vetëdorëzimit, u tregua i gatshëm që çështja të zbardhej mbasi sipas tij, ai e kreu vrasjen nga pakujdesia dhe jo siç pretendon prokurori. Ky i fundit lexoi kërkesën për masa vetëm për vrasjen e Qemës dhe nuk tha asgjë për pajisjet që dyshohet se prodhonin monedhën elektronike Bitcoin, për të cilën Krimi Ekonomiko-Financiar po kryen hetime të pavarura, duke qenë se zbulimi i laboratorit ndodhi rastësisht.

Grupi i shokëve të cilët kur ndodhi vrasja po qëndronin si zakonisht në lokalin ku mblidheshin mbrëmjeve, dolën para gjyqtares Shefkie Demiraj. Pozitat më të vështira i ka Marius Dema i moshës 27 vjeç, deri më tani nën akuzë për "vrasje me dashje" të Mehmet Qemës dhe "armëmbajtje pa leje", si dhe "moskallëzim krimi". Prokurori i çështjes i tha gjyqtares se deri sa të administrohen të gjitha akt-ekspertizat, 27-vjeçari duhet të mbahet në paraburgim për këtë vepër të parashikuar sipas tij nga nenet 76 , 278, 300 dhe 301 të Kodit Penal.

LEXO EDHE:
Pas vrasjes te “5 maji”. Njëri nga të rinjtë autori, të tjerët fshehën pistoletën, larguan gëzhojën dhe pastruan lokalin

Ndaj Demës prokuroria tha se ai, jo vetëm qëlloi për vdekje shokun e tij, por ai nuk kallëzoi krimin dhe pengoi zbulimin e të vërtetës. Burime të Gazetës "Si" thanë se brenda në sallë i riu shpërtheu në lot, e së bashku me të edhe katër të dyshuarit e tjerë që u vetëdorëzuan disa orë pas ngjarjes në ambjentet e policisë qendrore. Ndryshe nga sa kërkoi për Marius Demën për të cilin prokurori kërkoi "arrest me burg", për katër të tjerët u kërkua "detyrim paraqitje" dhe "arrest shtëpiak", mbasi të katër ata janë të dyshuar për "moskallëzim krimi" dhe "fshehje të të vërtetës". “Natyra e këtyre veprave nuk është e rrezikshme, ndaj në këto rrethana kërkoj "detyrim paraqitje" dhe "arrest shtëpie”, deklaroi prokurori përpara gjyqtares Shefkie Demiraj.

Të rinjtë gjatë seancës gjyqësore për vrasjen e 27-vjeçarit, Mehmet Qema

Në lidhje me këtë ngjarje, tha prokurori i çështjes gjatë masës së sigurisë, janë administruar në vendin e ngjarjes një tampon etiketuar me tabelën një, një patentë me emrin Mehmet Qema, një orë dore me rripa dhe me mbishkrimin në brendësi të shkruar Tissot 1853, një unazë metalike me gur të zi me logon e shqiponjës në të dy krahët e saj dhe me mbishkrime. I riu i qëllua me një pistoletë "Walter", e cila kishte në krehër një fishek. "Arma u gjet e fshehur dhe e mbuluar me një leckë", përshkroi prokurori
Shtetasi Blerim Hoti dëshmoi, sipas prokurorit, se ishte në vendangjarje mbrëmjen e vrasjes së Mehmet Qemës mbasi kishte një lavazh aty afër dhe po pinte një kafe. “Gjeta në lokal Erlin Pekën, Ender Pjetrën, Mehmet Qemën, Marjus Demën dhe Frenkli Myftarin. Ata ishin aty duke bërë shaka dhe unë ndërkohë po shikoja telefonin kur dëgjova një krismë dhe më pas pashë Mehmetin të shtirë”, ka thënë ai.

I riu rrëfen se u largua i stresuar për atë që kishte ndodhur. “Shkova direkt në Durrës tek një i afërm i imi dhe kur pashë emrin në televizor si i implikuar në ngjarje, u paraqita për të dhënë shpjegimet e mia me dëshirën time”, deklaron Blerim Hoti.

Një tjetër dëshmitar dhe nën hetim është edhe Xh.K., por edhe ai si të tjerët, nuk ka parë asgjë.

“Mbaj mend që isha duke pirë me shokët dhe ndërkohë dëgjova një krismë dhe pashë shokun të shtrirë, i cili ishte përtokë. Në panik e sipër për momentin u largova drejt shtëpisë dhe kur pashë emrin në televizor që më kërkonte policia u paraqita në komisariatin numër katër”, mbyll dëshminë i dyshuari tjetër.

Të gjithë të rinjtë shpjegojnë se kanë dëgjuar vetëm krisma dhe se gjithçka ndodhi në shaka e sipër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë