“Korrupsioni është njëkohësisht një shkak dhe pasojë e një kulture kriminale që ka pushtuar Ballkanin Perëndimor, dhe mënyra se si korrupsioni është i lidhur me politikën tregon se po ai ka çuar drejt kapjes së shtetit”. Ky është raporti i fundit për zbatimin e reformave anti-korrupsion në Ballkanin Perëndimor, i cili thekson se të gjitha vendet e rajonit kanë miratuar ligje të ashpra, por nivelet e korrupsionit kanë ardhur duke u rritur pasi ligjet nuk zbatohen.
Dy raportet e reja që janë botuar këtë javë nga Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar e cilësojnë fenomenin e 'korrupsionit të organizuar' në Ballkanin Perëndimor si problemin dhe sfidën më madhore të rajonit. Raporti thotë se Ballkani Perëndimor u bë më i korruptuar në 2020 në krahasim me 2019. Sipas tyre, në Ballkani nuk ka thjesht korrupsion, ka "korrupsion të organizuar".
Hartuesit e raporteve kanë monitoruar zbatimin e premtimeve anti-korrupsion që qeveritë e rajonit kanë bërë në kuadrin e Procesit të Berlinit, duke analizuar progresin e bërë që nga viti 2019.
"Luftimi i korrupsionit është padyshim një përparësi për Bashkimin Europian", thotë autorja kryesore e studimit, Sunčana Roksandić e cila vuri në dukje se fjala ‘korrupsion përmendet 88 herë në komunikimet BE-Ballkan 2020. "Luftimi i korrupsionit është gjithashtu një përparësi për shoqërinë civile në Ballkanin Perëndimor, dhe shpresojmë gjithashtu për qeveritë," tha Roksandić.
Gjatë përgatitjes së këtij raporti, autorët zbuluan se në vendet e Balkanin premtimet anti-korrupsion nuk merreshin seriozisht, si nga publiku i gjerë dhe madje edhe brenda agjencive qeveritare përgjegjëse për zbatimin e tyre. Gjithashtu nuk ishte gjithmonë e qartë se cilat organe qeveritare ishin përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të premtimeve. Kjo bie ndesh me rëndësinë që liderët e Ballkanit i kanë dhënë luftës ndaj korrupsionit përmes Procesit të Berlinit.
Sipas këtij raporti vendet që kanë bërë më shumë hapa pas janë Bosnja dhe Serbia, të cilat kanë ndaluar ose shtyrë një sërë hetimesh ndaj zyrtarëve të lart për korrupsion.
Po ashtu ekspertët kanë analizuar faktorët që mundësojnë lulëzimin e krimit të organizuar në rajon dhe ndikimin që ka korrupsioni.
Ai thekson që ndërsa është bërë një përparim i konsiderueshëm në vendosjen e legjislacionit, institucioneve dhe strategjive të përshtatshme anti-korrupsion, por se përdorimi efektiv i këtyre masave dhe organeve shpesh mungon. Sipas raportit të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen tanimë me korrupsionin e organizuar”, një simbiozë e krimit të organizuar, duke cuar në pasurimin e partisë në pushtet dhe mbrojtjen e saj përpara ligjit.
"Korrupsioni i organizuar nuk ka të bëjë vetëm me përfitime të paligjshme financiare dhe ndikim të panevojshëm në vendimmarrje, por gjithashtu edhe me përdorimin sistematik të mbështetjes sociale për të fituar ose qëndruar në pushtetit " shpjegon një tjetër autore e studimit Uglješa Zvekic.
Mali i Zi ka rezultate relativisht të mira në krahasim me fqinjët e tj, por qeveria e re e zgjedhur në dhjetor 2020 do ta ketë të vështirë për reformimin e gjyqësorit dhe zgjidhjen e çështjeve të korrupsionit të grumbulluara ndër vite.
“Ishte e qartë që nga fillimi se qeveria e re nuk do ta ketë një detyrë të lehtë duke pasur parasysh korrupsionin e përhapur dhe krimin e organizuar në vend, si dhe shumicën e paqëndrueshme në Parlament", shkroi Jovana Marović, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit Europian për Ballkanin Perëndimor Europian. Sfidat e qeverisë malazeze në luftën kundër korrupsionit dhe reformimin e gjyqësorit janë ende të mëdha.
Përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar jo gjithmonë kanë qenë në harmoni me standardet ndërkombëtare.
“Në disa raste, masat dhe institucionet e ngritura nuk ishin në linjë me praktikat ndërkombëtare. Si shembull, në Shqipëri Kryeministri deklaroi paketën “KÇK” me shtatë pika për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ligji special i dha kompetenca ekstra Policisë së Shtetit dhe krijoi një njësi speciale me fuqi të jashtëzakonshme”, thuhet në raportin e publikuar këtë javë nga GIATC.
Raporti i referohet strukturës “Operacioni Forca e Ligjit”, që veproi deri në fund të vitit të kaluar dhe e qortuar nga shoqëria civile si nismë që binte ndesh me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ndërsa nga Partia Demokratike si mjet që i shërbente veç propagandës.
Serbia nga ana tjetër ka nivelin më të lartë të korrupsionit që nga viti 2012. Raporti thotë se Serbia është shembulli më i mirë i "korrupsionit të organizuar", mëepartinë në pushtet që ka rritur erozionin demokratik dhe përpjekjet për të heshtur zërat kritikë. Raporti thekson se Covid-19 vështirësoi edhe më tej kushtet për të luftuar korrupsionin jo vetëm në Serbi por në mbarë Ballkanin, pasi numri i prokurimeve publike urgjente u rrit, si dhe shpenzimet e Qeverisë.
“Prokurimet publike gjatë pandemisë u kryen pa transparencë dhe falë gjendjes së emergjencës, qeverië mbajtën të fshehta të gjitha prokurimet publike të lidhura me Covid-19", thotë raporti.
Për të tretin vit radhazi, Kosova nga ana tjetër po përballet me thirrjet për ndërmarrjen e reformave të mëdha anti-korrupsion si dhe ndërmarrjen e një vettingu në gjyqësor.
Qyetatërët janë besimplotë se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti mund të sjellë ndryshimet e nevojshme kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit dhe për t'u shkëputur nga praktika e emërimet politike në administratë. Sidoqoftë, Kurti ka përballë një sërë vështirësisë përpara së të ndërmarrë reforma serioze, pasi komuniteti ndërkombëtar po bën presion që qeveria të punojë në drejtim të dialogut me Serbinë.
Bosnjë Hercegovina cilësohet si vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, pasi nuk ka kornizë strategjike dhe ligjore për të luftuar korrupsionin ndërkohë që sistemi gjyqësor është i kapur jo vetëm nga politika por edhe krimi i organizuar.
“Në vend të kontributit në luftën kundër korrupsionit, gjyqësori u bë një nga problemet më të mëdha të shoqërisë. Gjyqësori është i varur politikisht, pa pavarësi dhe përgjegjësi dhe ka nevojë për një veting urgjent, si hapi i parë në luftën kundër korrupsionit ”, thuhet në raport.
Një nga skandalet kryesore u shfaq në mes të pandemisë, kur qeveria e Bosnjë dhe Hercegovinës prokuroi pajisje mjekësore me vlerë 5,3 milion euro, të importuara nga Kina, nga një kompania që eksportonte mjedra. Vetëm kohët e fundit Gjykata e Shtetit ka konfirmuar aktakuzën kundër Kryeministrit dhe tre personave të tjerë të përfshirë.
Maqedonia e Veriut nga ana tjetër po përballet me nivelet më të larta të korrupsionit që nga vitit 2001. Raporti thekson se është e nevojshme të kryhen reforma serioze për të frenuar korrupsionin e nivelit të lartë i cili është jashtë mundësive për institucionet. “Në të njëjtën kohë, flukset dhe pasuritë e paligjshme duhet të hetohen dhe gjithçka që është vjedhur duhet t'u kthehet qytetarëve", thotë raporti.
Sipas raportit rritja e korrupsionit të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor është një tregues që vetëm procesi i anëtarësimit në BE, pa përfshirjen aktive të qytetarëve nuk është i mjaftueshëm për të stimuluar qeveritë për të kryer reforma serioze anti-korrupsion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.