Histori

Armenia, populli i 1000 kishave… Nga autonomia e mohuar te shfarosja e heshtur

Armenia: një vend i largët, në mjegullat e Lindjes së Mesme, i vendosur në një rajon të paqartë dhe të pacaktuar. Duket e pabesueshme, por masakrat armene gjatë Luftës së Madhe, për të cilat ishte shkruar dhe folur aq shumë, deri në Traktatin e Lozanës në vitin 1923, në 70 vitet pasuese kujtesa ishte humbur, madje edhe emri.

Nuk është rastësi, që Hitleri, duke planifikuar zgjidhjen përfundimtare hebraike, deklaroi sinqerisht: “Kush i mban mend sot masakrat e armenëve?”.

Por sot, emri i duhur për t’u përdorur, është ai i gjenocidit, duke zbatuar termin e shpikur nga juristi hebreo-polak, Raphael Lemkin vetëm në vitin 1944, duke menduar për fatin tragjik, së pari të armenëve dhe më pas – njëzet vjet më vonë – të hebrenjve.

Populli armen, ishte i njohur mirë në kohërat antike. I vendosur të paktën nga shekulli i shtatë para erës sonë në pllajën e madhe që ka malin biblik, Ararat në qendër dhe rreth tre liqeneve të mëdha malore (Van, Sevan dhe Urmià), kishte formuar një mbretëri të rëndësishme, e cila kishte ngjarje të ndryshme luftimesh dhe aleancash me mbretëritë fqinje dhe ishte atëherë një aleat i Romës.

Ajo arriti shtrirjen e saj maksimale nën drejtimin e Tigranit të Madh, perandoria e të cilit (shekulli i parë para Krishtit) arriti deri në Siri dhe Palestinë.

Fortesat e familjeve të mëdha të pronarëve feudalë – prej të cilave disa mure të vetmuar ende rezistojnë aty-këtu në pllaja – përshkuan territorin e gjerë.

Shigjetarët armenë, njiheshin për aftësinë dhe saktësinë e tyre në goditje. Kryeqyteti, Ani “i 1001 kishave”, tregon akoma mbetjet e shkëlqimit të tij të kaluar në një tokë të shkretë pranë kufirit aktual turko-armen.

Mbretëria armene u shemb në shekullin e 11-të, nën goditjet e përbashkëta të bizantinëve, nga perëndimi dhe fiseve mongole nga lindja.

Megjithë ekzistencën e pasigurt për disa shekuj të mbretërisë së vogël të Kilikisë, me pamje nga Egjeu drejt ishullit të Qipros, nga atëherë e tutje, armenët, edhe pse arritën të ruajnë një identitet të fortë gjuhësor, kulturor dhe fetar, humbën të gjithë pavarësinë. Me rënien e Perandorisë Bizantine në vitin 1453, ata bëhen një nga pakicat e njohura (“mileti”) të asaj Osmane.

“Miletet” kishin një autonomi të caktuar të brendshme, por ato ishin gjithmonë në mëshirën e vullnetit (ose tekave) të sulltanëve: dhe nëse nga njëra anë, bashkësia e Kostandinopojës (e dominuar nga të ashtuquajturit ‘amiras’, nga fjala arabe emir ), kishte një ndikim të madh në gjykata, nga ana tjetër, rënia e Perandorisë (i quajtur ‘njeriu i sëmurë i Evropës’ nga fuqitë evropiane), çoi në dëshirën për autonomi të pakicave të krishtera (armenë, grekë, sirianë) dhe anasjelltas për t’u shndërruar në lëvizje nacionaliste, si ajo e “Të Rinjve Turq”, të cilët morën pushtetin në vitin 1908, duke privuar në mënyrë efektive sulltanin.

Gjatë shekullit të 19-të, shumë prej popujve që iu nënshtruan Osmanëve, kishin fituar pavarësinë: grekët së pari, pastaj rumunët, bullgarët, ballkanasit… por atdheu i armenëve ishte në Kaukaz dhe në lindje të Anadollit, në brendësi – jo jashtë, për fat të keq për ta – të territorit të banuar nga shumica turke.

Ishte kundër armenëve që zemërimi i thellë për krizën e perandorisë gjeti një rrugëdalje vdekjeprurëse dhe fatale, në të cilën kontribuan teoritë nacionaliste të importuara nga Evropa.

Një projekt gjenocidi u përpunua më pas, i zhvilluar nga ideologët e partisë në vitet pas 1913-ës në takime të fshehta, udhëheqësit e të cilëve ishin tre arkitektët e gjenocidit: Talaat Pasha, Ministër i Brendshëm dhe organizator i masakrave dhe dëbimeve, përmes përdorimit të tërbuar dhe të vazhdueshëm të mjeteve të reja të komunikimit me provincat, të tilla si telegrafi dhe telefoni; Enver Pasha, Ministri i Luftës me krenari pro-gjermane; Djemal Pasha, Ministër i Marinës dhe kreu i ushtrisë Siriane.

Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, ishte rasti që pritej. Perandoria Osmane hyri në luftë në nëntor 1914, së bashku me Perandoritë Qendrore dhe menjëherë më pas, zbatimi i projektit filloi në heshtje dhe me rritjen e efektivitetit, i cili u bë i dukshëm me çarmatimin e ushtarëve armenë, të dërguar për të vdekur në “batalione pune” dhe me “Grumbullimin e Madh” të elitës armene në kryeqytet, e cila filloi në natën midis 23 dhe 24 prillit 1914.

Mijëra nga eksponentët më të rëndësishëm të komunitetit (poetë, shkrimtarë, gazetarë, mjekë, farmacistë, politikanë, biznesmenë…), u burgosën dhe në muajt në vijim u eliminuan pa zhurmë.

Pjesa tjetër, për fat të keq, është historia e gjenocidit.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë