Emrat e kandidatëve që garojnë për të pasuar Angela Merkel janë tanimë të qartë, ashtu siç janë edhe problemet globale që do të trashëgojë fituesi i zgjedhjeve të ekonomisë më të madhe të Europës..
Largimi i Merkel pas rreth 16 vitesh sjell në lojë jo thjesht drejtimin e ekonomisë më të madhe të Europës, por ekuilibrin e fuqisë në kontinentin e vjetër. Me botën që po shkon gjithnjë e më shumë drejt një rivaliteti mes fuqive të mëdha, fituesi i zgjedhjeve federale të shtatorit do të përballet me sfida të mëdha ndërkombëtare.
Administrata e Biden tashmë po kërkon një qëndrim të qartë nga Berlini për çështjet që lidhen me Kinën dhe Rusinë dhe Gjermania po përballet me pyetjet a duhet t’i bashkohet Uashingtonit, ndërsa Bashkimi Europian përpiqet të marrë një rol më të madh global.
Pandemia shton një tjetër shtresë presioni pasi gara për të siguruar vaksinat, e shoqëruar me pasojat e vazhdueshme nga largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE, rrit nacionalizmin, duke i shtyrë vendet europiane që të mendojnë secila për vete.
Këto sfida të jashtme që po trokasin në derën e Berlinit nuk të kujtojnë asgjë tjetër veçse zgjedhjet më të paparashikueshme të 60 viteve më parë, kur një skandal spiunimi i Luftës së Ftohtë çoi në dorëheqjen e Social Demokratit Willy Brandt si Kancelar i Gjermanisë Perëndimore në vitin 1974. Zëvendësuesi i tij, Helmut Schmidt u pasua nga Helmut Kohl dy vite më vonë, duke çuar në unifikimin e Gjermanisë.
Tani pyetja është nëse kancelari tjetër është i përgatitur të qeverisë në një nivel të përgjegjësisë globale si fuqia dominuese e Europës.
Edhe pse kandidati i zgjedhur, Armin Laschet pritet të ruajë kursin e Merkel, një betejë e ashpër dhe shumë publike për zgjedhjen e kandidatit të konservatorëve e vë pasuesin e Merkel në mesin e një fushate të trazuar.
Rreziku është që lidershipi tjetër në Gjermani të kthejë kurrizin për t’u marrë me ndarjet politike në vend, duke e lënë Europën pa një nga spirancat e saj më të mëdha. Sipas Jacob Kirkegaard, ekspert në Institutin “Peterson”, aleanca konservatore në pushtet pritet të dobësohet më tej, veçanërisht pas luftës midis Laschet dhe rivalit të tij për kandidat për kancelar, Markus Soeder.
Kirkegaard thotë se sipas sondazheve, të Gjelbrit kishin fituar epërsi me shtatë pikë brenda vetëm një jave duke përgatitur terrenin për kandidaten e të Gjelbërve Annalena Baerbock, e cila nuk ka shërbyer në qeveri në nivelin federal ose shtetëror.
Olaf Scholz, ministër i financave në koalicionin e Merkel dhe kandidati i Social Demokratëv, ka përvojë, por partia e tij është e treta në sondazhe.

Me trendin e përgjithshëm të sondazheve që sugjeron se të Gjelbrit janë të gatshëm për të marrë një rol të rëndësishëm në qeveri, Gjermania pritet të marrë një qasje shumë më të ashpër ndaj Rusisë dhe Kinës.
Në këto kohë krize, Europa do të kthehet nga Gjermania për një udhëheqje të fortë, sidomos për sfidat fiskale dhe ekonomike që ka lënë pas pandemia. Strategjia e Merkel për të lejuar shitjen e kufizuar të borxheve europiane hapi rrugën për fondin e rimëkëmbjes së BE, një hap që mbetet i diskutueshëm jo vetëm në mesin e vendeve anëtare por edhe të të Gjelbërve. Merkel ndihmoi në drejtimin e Europës përmes krizës së Eurozonës, së bashku me shefin e atëhershëm të Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi, i cili tani është kryeministër i Italisë.
Ndërkohë, Presidenti Vladimir Putin ka çuar në rritjen e tensioneve gjeopolitike me grumbullim të trupave ruse në kufi me Ukrainën, ndërsa lideri i opozitës ruse Alexey Navalny është në gjendje të rëndë shëndetësore në një spital jashtë Moskës.
Udhëheqësit perëndimorë kanë paralajmëruar përkeqësimin e marrëdhënieve me Moskën nëse Navalny do të vdiste. Por Merkel ka argumentuar vazhdimisht për mbajtjen e linjave të komunikimit të hapura me Moskën dhe ka qenë dikush me të cilin Putini ka mundur së paku të flasë. Pasardhësi i saj do të duhet të marrë një rol kryesor në mbarëvajtjen e lidhjeve me Rusinë, në një nga rastet më të ndërlikuara që nga Lufta e Ftohtë.
Emily Haber, ambasadorja e Gjermanisë në SHBA, e sheh nga ana tjetër Kinën dhe garën midis “demokracive dhe autokracive” si krizën më të madhe të kohërave tona. Gjermania tashmë është në bord, duke ndihmuar Europën të përafrohet me administratën e Presidentit Joe Biden.
“Gjermania ka këtë problem të përjetshëm dhe që nga viti 1871 gjendet e dyzuar midis asaj që dëshiron të jetë dhe vendit të saj në botë dhe në Europë,” tha ajo. “Do të jetë interesante të shohok se çfarë do të bëjë kancelari tjetër.” /Bloomberg/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




