Analize

BE nuk do të rinovojë kontratat me AstraZeneca dhe J&J

Europa duket se do ta vaksinojë popullsinë e saj vetëm me vaksina me teknologjinë mRNA. Pas problemeve të shpeshta me dy nga vaksinat më të lira në treg, Astrazeneca dhe Johnson & Johnson, gazeta italiane “La Stampa” raporton duke cituar burime nga Agjencia Europiane e Barnave thotë se këto dy vaksina mund të nxirren nga tregu dhe të mos shpërndahen me në Bashkimin Europian.

Gazeta italiane shkruan se vaksinat e mRNA, të tilla si Pfizer, do të marrin hov me ardhjen e 40 milionë dozave më shumë deri në qershor, ndërsa ato të AstraZeneca dhe Johnson & Johnson ka të ngjarë të mbesin stok. “Për shkak të vonesave të shpërndarjeve dhe shqetësimeve për mpiksjet e gjakut në lidhje me vaksinat e AstraZeneca dhe Johnson & Johnson, Komisioni Europian ka vendosur kundër rinovimit të kontratave të vaksinës me AstraZeneca dhe J&J sapo kontrata të mbarojë në fund të vitit”, shkruan gazeta italiane La Stampa, duke cituar një burim nga ministria italiane e shëndetësisë.

Lajmi konfirmohet po ashtu nga Reuters dhe vjen ndërkohë që Shqipëria pret, siç njoftoi kryeministri Edi Rama, 90 mijë doza të Astrazeneca.

Të dy dyja vaksinat kanë qenë nën vëzhgim për rastet e mpiksjes së gjakut, duke bërë që disa vende të ndalojnë përdorimin e vaksinës së kompanisë suedezo-britanike ndërkohë, që AstraZeneca ka luftuar për të përmbushur objektivat e shpërndarjes sipas kontratës.

“Komisioni Europian, në marrëveshje me udhëheqësit e shumë vendeve, ka vendosur që kontratat me kompanitë që prodhojnë vaksina me vektorë viral të vlefshëm për vitin aktual nuk do të rinovohen në skadimin e tyre,” raporton “La Stampa”. Në të njëjtën kohë, Komisioni po kërkon përgjigje nga J&J mbi vonesën “krejtësisht të papritur”, të shpërndarjes së dozave sipas kontratës, tha një zyrtar i BE.

AstraZeneca fillimisht ishte zotuar të shpërndante 90 milion doza në vendet e Bashkimin Europian në tremujorin e parë të 2021, por e uli numrin e dozave në 31 milion, duke shkaktuar tensione midis kompanisë dhe zyrtarëve të Brukselit.

Nga ana e saj, Johnson & Johnson, u bëri të ditur zyrtarëve europianë se ishte “nën stres” për të përmbushur objektivin e kontratës për të shpërndarë 200 milion doza në BE brenda vitit 2021 duke filluar në tremujorin e dytë”.

Të martën, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ka rekomanduar një pauzë në përdorimin e vaksinës, mes hetimeve se shkaktonte një efekt anësor jashtëzakonisht të rrallë të mundshëm që përfshin mpiksjen e gjakut me trombocitet të ulëta.

“Europa tani ka të ngjarë të mbështetet në vaksinat mARN nga Pfizer dhe Moderna, njoftoi La Stampa. Bashkimi Europian po mban të gjitha opsionet në tryezë ndërsa akordon përgjigjen e tij ndaj pandemisë nga viti 2022 e më tej”.

BE thuhet se po negocion kontratën e re Pfizer me një çmim prej 19,50 eurosh për dozë, tha të dielën kryeministri bullgar Bojko Borisov. Çmimi fillimisht ishte 12 euro për dozë.

“Ne duhet të përqendrohemi në teknologjitë që kanë provuar vlerën e tyre: vaksinat e ARN-së janë më të sigurta,” deklaroi të mërkurën Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke njoftuar se Komisioni është në bisedime për të blerë edhe 1.8 miliardë doza vaksinash koronavirus nga BioNTech / Pfizer. Këto doza, që do të shpërndahen midis viteve 2021 dhe 2023, pritet të ndihmojnë bllokun në rast se europianët kanë nevojë për vaksina shtesë për të luftuar variantet e koronavirusit, tha Von Der Leyen.

Duke u ndalur tek lajmet e së martës se Johnson & Johnson po pezullonte dërgesat në Europë për shkak të rasteve të mpiksjes së gjakut në SHBA, Von Der Leyen vuri në dukje se BE duhet të përqendrohet tek blerja e vaksinat që nuk kanë paraqitur efekte anësore.

Shumica e vendeve planifikojnë të përdorin dozat e  para të vaksinave J&J që mbërritën këtë javë, pavarësisht nga fakti që kompania tha se duhet të presin për një vlerësim më të hollësishëm të sigurisë nga rregullatorët europianë javën e ardhshme. Disa vende, përfshirë Belgjikën dhe Holandën, thanë sedo të ndalonin përdorimin e vaksinës J&J. Të tjera vende, si Franca dhe ndoshta Italia, planifikojnë të kufizojnë përdorimin e vaksinës për popullatat e moshuara.

Përsa i përket vaksinës së Oxford / AstraZeneca, vendet kanë marrë një qasje më të fragmentuar: Disa po e përdorin atë tek të rriturit, të tjerët e kanë kufizuar për grup mosha të ndryshme ose, në rastin e Danimarkës, po e ndalojnë plotësisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë