Njerez

Përfundon epoka “Kastro” në Kubë, pas 60 vjetësh Raúli lë drejtimin e partisë

Epoka “Kastro” përfundon në Kubë, 62 vjet pas hyrjes triumfale në Havana të të ashtuquajturve “Barbudos” (është emri me të cilin njihen revolucionarët kubanë të “Lëvizjes 26 Korriku”, për shkak të mjekrave të gjata që mbanin, pasi kishin vendosur të mos rruheshin derisa fituan luftën e tyre çlirimtare).

Kështu pra, 89-vjeçari Raúl Kastro (vëllai i komandantit Fidel Kastro), del në pension dhe zyrtarisht largohet nga politika. Njoftimi është planifikuar të bëhet këtë të premten, në hapjen e Kongresit VIII të Partisë Komuniste, kur Rauli, i dyti i përjetshëm, i cili qëndroi shumë në hije edhe duke qenë i pari i vendit, ndryshe nga vëllai i tij Fidel, do të japë dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Komuniste Kubane, tre vjet pas largimit nga drejtimi i shtetit.

Raul Kastro (majtas) dhe Fidel Kastro, i ashtuquajturi “lider maximo”

Dhe nëse Raúli nuk ka qenë kurrë aq karizmatik dhe i gjithë pranishëm sa vëllai i tij i madh dhe “líder maximo” Fidel – “Nuk më pëlqen të shfaqem në publik, përveç se kur është e nevojshme”, pranoi ai dikur – njeriu që ka kohë që ka marrë përsipër vendin, 60-vjeçari Miguel Díaz-Canel, është edhe më pak.

Ai është gjithashtu pasardhësi i caktuar në krye të partisë, por midis lojtarëve të dominos në “Parque Central de la Habana Vieja” – një nga vendet e pakta të diskutimit të lirë mbi lëvizjet sekrete të “Palazzo”-s – ekziston një thashethem, se një luftë për udhëheqjen, mund të shkaktohet në muajt e ardhshëm.

Ose mund ta bëjë më të vështirë shtypjen e disidencës, për të hequr çdo iluzion të “de-kastrizimit”. Ata që presin hapje demokratike nga nomenklatura e re, e cila kurrë nuk ka luftuar në “Sierra” dhe kryesisht nuk ka lindur as kur revolucioni triumfoi në vitin 1959, do të zhgënjehen.

Në Kubë, gjithçka ndryshon, sepse asgjë nuk ndryshon. #SomosContinuidad është hashtag-u i fundit i shpikur nga Díaz-Canel, i cili shpesh përdor platformën sociale “Twitter” dhe “YouTube”-in. Pas daljes në pension të Fidelit, i cili u deklarua i sëmurë në vitin 2008 dhe aq më tepër pas vdekjes së tij në nëntor 2016, shumë gjëra ndodhën në Kubë.

Raúl ka lejuar përdorimin e telefonave celularë dhe kompjuterëve: sot pothuajse 60% e kubanëve kanë qasje në internet, megjithëse linja mbetet e dobët. Ai hoqi vizat e daljes për jashtë vendit, rivendosi marrëdhëniet diplomatike me SHBA-të dhe shtrëngoi duart me Barak Obamën, duke e mirëpritur atë në Havana. Mbi të gjitha, ai nisi liberalizimin ekonomik, duke autorizuar sipërmarrjen e vogël private dhe duke hapur kufijtë për investimet e huaja dhe madje edhe për shfaqjet e modës në “Malecón”.

Ish-lideri i Kubës, Fidel Kastro dhe pasardhësi i tij në krye të partisë, Raul Kastro

Pas rënies së ish-Bashkimit Sovjetik, nuk kishte asnjë alternativë. “Unë nuk u zgjodha për të sjellë kapitalizmin përsëri në Kubë”, – paralajmëroi Raúl në vitin 2013, duke njoftuar fazat e largimit të tij gradual: “Unë u zgjodha për të mbrojtur dhe për të vazhduar përsosmërinë e socializmit”.

Ai, udhëheqësi i “socializmit të aktualizuar”, duhet të pranohet se ka menaxhuar me mençuri përzierjen e brishtë të reformave ekonomike dhe udhëheqjes së shtetit, duke i dhënë një krah “gerontokracisë” (termi që tregon një sistem politik në të cilin pushteti mbahet nga të moshuarit të një lloji jo-reformist).

Kuba dukej gjithashtu afër lehtësimit të sanksioneve amerikane, por me Trump, gjërat u ngadalësuan. Do të shihet se çfarë do të ndodhë me Biden, i cili e ka bërë të qartë, se nuk e konsideron Kubën “një përparësi”. Këtë vit, qeveria Díaz-Canel ka filluar reforma të reja, duke i dhënë më shumë qasje sektorit privat.

Por represioni ndaj disidencës së brendshme, nuk është zbehur. Përkundrazi Partia Komuniste Kubane, ka premtuar një grusht të hekurt kundër “përmbysjes politiko-ideologjike” në mediat sociale – duket gjithashtu e shqetësuar për suksesin e videos muzikore “Patria y vida”, një rrymë ‘reggaeton’, që ironizon shprehjen ikonë “Patria y muerte” të Fidel Kastros – ndërsa policia është përballur ashpër me protestat e fundit të artistëve dhe intelektualëve të mbledhur në sheshin “Movimiento de San Isidro”.

Raul Kastro dhe ushtruesi i detyrës së kryeministrit në Kubë, Miguel Diaz-Canel

Dikush e sheh akoma dorën e Raulit, e cila sigurisht nuk do të përfundojë në planin “pijama”, pasi ata që i nënshtrohen spastrimeve politike përcaktohen si të tillë në ishull.

Ndikimi i tij do të mbetet i fortë. Por nuk është i mundur as një de-militarizim gradual i regjimit, i cili ka të ngjarë të përballet me krizën ekonomike në rritje, për shkak të embargos dhe pandemisë, duke ndaluar turizmin dhe dërgesat e parave nga jashtë.

Pjesa më e madhe e 280 sanksioneve të vendosura nga Trump, kanë synuar korporatat e drejtuara nga gjeneralët. Nëse ato kalojnë në duart e civilëve, për të anashkaluar sanksionet, ekuilibri gjithashtu do të ndryshojë.

Ndoshta nuk do të jetë e mjaftueshme për të qetësuar tensionin. Reforma monetare e janarit, nxiti inflacionin, disa çmime u rritën me 500% dhe rritja e pagës minimale nuk kompensoi efektet.

Radhët e gjata vijojnë përsëri jashtë dyqaneve; popullata kubane shfryn dhe dëgjon “Patria y Vida”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë