Lojëra me Dore

Viti i Partizanit, fiton titullin edhe në volejboll për meshkuj

Partizani bën bis trofesh në volejboll. Një ditë pas titullit të fituar me ekipin e femrave, sot ishte radha e meshkujve që të shpalleshin kampionë të vendit. Ky është titulli i 15-të për Partizanin e rrjetës për meshkuj.
Ekipi i drejtuar nga trajneri i njohur, Ylli Tomorri, ka mundur Erzenin edhe në ndeshjen e tretë finale, duke mos u lënë asnjë shans shijakasve dhe duke siguruar kështu trofeun. Në “Feti Borova” të kuqtë fituan 3-0 në ndeshjen e sotme, ndërsa rezultatet e seteve janë 25-18, 25-19 dhe 25-23.

Dominimi i Partizanit këtë sezon ka qenë i dukshëm. Vetëm fitore kanë regjistruar djemtë e Ylli Tomorrit, si në fazën e grupeve, ashtu edhe në “Play-off”. Për këtë skuadër është trofeu i dytë sezonal, pas Kupës së Shqipërisë së fituar pak javë më parë dhe përsëri ndaj Erzenit.

Ky sukses i klubit të kuq, kampion në volejboll me të dy ekipet, ndoshta është një ogur i mirë edhe për futbollin. Nëse edhe Partizani i Dajës shpallet kampion, atëherë 2021-shi do të ishte një vit për t’u mbajtur mend gjatë nga kryeqytetasit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë