Filma

Oda e Filmit, që filmi dhe teatri të zhurmojë përsëri

Shumë artistë krijues fatkeqësisht nuk njohin potencialin e njëri-tjetrit për arsye nga më të ndryshmet. E nëse do të ekzistonte një term përmbledhës për misionin e Oda e Filmit do të ishte: Uniteti

Edhe pse teatri dhe aktivitetet artistike mund të rikthehen shpejt, një grup të rinjsh kanë dëshirë ta shohin filmin dhe teatrin shqiptar të lulëzojë e zhurmojë përsëri ose si kurrë më parë.

“Oda e Filmit” është platforma online që ata kanë gjetur si një mënyrë ndryshe të prezantimit dhe promovimit të artit shqiptar.

Sipas nismëtarit të kësaj platforme, Ismail Shino, kjo dritare e re virtuale vjen me termin Oda, si një simbol bashkësie dhe si term identifikues i zakoneve dhe traditës sonë shqiptare.

Aktori Ismail Shino tregon për Gazetën “Si” se Oda është konceptuar si një hapësirë e re për ta pasur në vëmendje artin vendës.

“Oda e filmit është konceptuar si një hapësirë, e cila në vëmendje të saj do të ketë artistë dhe artdashës të artit kinematografik dhe skenik vendës. Përveç formulimit të një platforme online, në përbërjen e saj ka listimin e artistëve dhe prodhimet artistike vendëse”, thotë ai për Gazetën “Si”.

Aktori Ismail Shino, nismëtar i “Oda e Filmit”

Sipas tij, Oda e Filmit është një terren, i cili do ketë në qendër çdo artist krijues të çdo disipline artistike kontribuuese jo vetëm në kinematografi, por edhe në teatër.

“Nuk ka kritere për filmat dhe shfaqjet teatrore që do të bëhen pjesë e platformës, por sigurisht janë prodhimet e reja ata që kanë më shumë nevojë për promovim”, thotë më tej ai.

Shino sheh një mungesë uniteti mes artistëve dhe artit të tyre, ndaj dhe nisma ka në fokus krijimin e një bashkësie dhe ndërveprimin mes artistëve.

“Krahas promovimit, do të shërbejë si një regjistër dhe arkivë e çdo artisti, i cili potencialin e tij artistik e implementon në kinema dhe teatër. Qëllimi i kësaj nisme është krijimi i një komuniteti artistik dhe ndërveprimi i tyre me njëri-tjetrin”, thotë ndër të tjera Shino, ndërsa vë në pah se “shumë artistë krijues fatkeqësisht nuk njohin potencialin e njëri-tjetrit për arsye nga më të ndryshmet. E nëse do të ekzistonte një term përmbledhës për misionin e Oda e Filmit do të ishte: Uniteti”.

Por si lindi ideja e këtij website? Aktori thotë se ideja erdhi nga një grup artistësh që artisti shqiptar të ketë një status të merituar.

“Ideja e Oda e filmit vjen nga një grup artistësh dhe artdashësish si nevojë imediate ku në fokus të jenë artistët dhe çdo prodhim kinematografik e skenik vendës. Duke qenë vazhdimisht në vëmendje dhe suportues ndaj artit dhe artistëve vendës, krijohet një terren pozitiv dhe i qëndrueshëm për lulëzimin dhe statusin e merituar të artit kinematografik dhe atij skenik”, rrëfen më tej Shino, dhe shton se “kjo platformë procedon mbi baza totalisht vullnetare”.

“Pavarësisht se në momentet që po flasim jemi në teknalitetet e fundit të ndërtimit të një ëebsite”, shprehet aktori, – na kanë kontaktuar shumë artistë krijues,(aktorë, regjisorë, skenaristë) të cilët shprehin bashkëpunimin e tyre që kjo nismë të marrë formën e duhur për t’i shërbyer me dinjitet kulturës vendëse”.

Më tej, kjo platformë do të zgjerohet me intervista me profesionistë apo njerëz të apasionuar pas filmit dhe kulturës për të pasur një ndërveprim artist-publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë