Bashkim Fino nuk ishte zgjedhja e parë e socialistëve për të marrë detyrën si Kryeministër në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, por mes refuzimeve të kandidatëve dhe refuzimeve të Partisë Demokratike, ai u katapultua në këtë post nga pozicioni i kryebashkiakut të Gjirokastrës.
Gazetari amerikan, Fred Abrahams tregon në librin “Shqipëria e Re”, të botuar në 2015 bisedimet që janë bërë në atë periudhë, e që çuan deri në zgjedhjen e tij.
Pjesë nga libri
Askush nga socialistët nuk e donte detyrën e palume e të rrezikshme të kontrollit. Duke mos pasur vullnetarë, krerët e PS-së zgjodhën personin më të ri në udhëheqjen e partisë, 29-vjeçarin me fytyrë prej çuni me emrin Pandeli Majko.
Rexhep Meidani dhe Majkoja u takuan me Berishën për të diskutuar postet e tjera. Vetëm gjatë atij takimi, më treguan veç nga njëri-tjetri Meidani dhe Majkoja, i njoftoi ata Berisha se kishte ndërruar mendje për shpërndarjen e posteve.
Kryeministrin, në vend të demokratëve, duhej ta emëronin socialistët, deklaroi ai. I trazuar, por tepër i vendosur për ta mbajtur procesin në lëvizje, Meidani ra dakord.
Mu aty, ai u kthye drejt kolegut të tij riosh dhe propozoi si kryeministër Majkon. “Unë mbeta krejt i befasuar”, më tregoi Majkoja.
“Por nuk reagova”. Dy burrat u larguan nga zyra e Berishës për t’u konsultuar me udhëheqjen e PS-së rreth ndryshimit. Partia ra dakord që Majkoja, aktivist i rinisë komuniste dhe student gjatë demonstratave të viteve 1990-1991, të ishte kryeministri i saj.
Por kur rifilluan bisedimet, zyrtarët e PD-së thanë se Majkoja ishte i papranueshëm si kryeministër, sepse ishte “shumë lart në parti”.
Në vend që të kundërsulmonin, socialistët filluan një kërkim të dëshpëruar. Ata kishin nevojë për një person të aftë të drejtonte qeverinë, të pranueshëm për Berishën, dhe që ndoshta ishte më e vështira, me vullnetin për të pranuar detyrën. Ekonomisti i ri, Arben Malaj, tha “jo”.
Të moderuarin Agim Fagu nuk patën mundësi ta gjenin. Berisha e hodhi poshtë kreun e PS-së të Vlorës, Eduard Alushin. E pezmatuar, udhëheqja e partisë më në fund doli me një emër.
Ai nuk ishte personi më popullor në parti, por ndoshta do të ishte i pranueshëm për Berishën, mendonin socialistët, dhe në atë kohë ishte i papunë. Telefonatën e bëri Rexhep Meidani.
Në Gjirokastrën e largët, tridhjetekatërvjeçari Bashkim Fino ishte në shtëpi duke luajtur tavëll me një shok, kur ra telefoni. Ai ishte i shkurtër, i shëndoshë e me kokë të rrumbullakët, me syze të mëdha e flokë të dendur të zinj.
Meidanit i ishte ngjirur zëri, kështu që ai ia kaloi telefonin Namik Dokles. “Të mora në telefon për të të thënë një gjë”, kujtoi Dokle fjalët e veta.
“Dhe kur ta mbaroj fjalinë, do të mendosh se jam çmendur.
A je gati?”. “Vazhdo”, iu përgjigj Finoja.
“Në këtë moment ti je kryeministër i Shqipërisë”.
Finoja e humbi fare. Ai i kishte ndjekur lajmet në televizion dhe kishte dëgjuar të shtënat në qytet, po përndryshe, ish-kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës ishte jashtë rrethit.
“Pse unë?”, pyeti ai. Sepse Berisha na ka dhënë të drejtën të zgjedhim kryeministrin, shpjegoi Dokle, por nuk pranoi këdo nga udhëheqja e partisë. Ti je personi i duhur për këtë post.
“Unë ngurrova”, më tregoi Finoja vite më vonë. “Secili kishte për të ngurruar në një situatë të tillë”. Meidani doli përsëri në linjë.
Në qoftë se nuk japim një emër brenda tridhjetë minutave, do të humbim të drejtën e emërimit të kryeministrit, tha ai me zë të ngjirur.
Finoja pranoi në mënyrë të kujdesshme, por me një kusht: shoku i tij i vjetër i shkollës, Arben Malaj, duhej të futej gjithashtu në qeveri. Socialistët kontaktuan Berishën për t’i thënë se oferta e tyre finale ishte Finoja.
Komiteti i Shpëtimit i Gjirokastrës nuk qe entuziast për zgjedhjen e socialistëve. Disa njerëz donin që të mbaronte kriza dhe e mirëpritën marrëveshjen politike, por të tjerë menduan se opozita i kishte shitur.
Berisha ishte ende në pushtet dhe disa prej kërkesave të tyre mbeteshin të paplotësuara. Përveç kësaj, ata e njihnin Finon si oportunist që kishte luajtur me të gjitha palët. Si kryetar bashkie i qytetit nga viti 1992 deri në vitin 1996, ai pinte kafe me udhëheqësit e PD-së dhe i dërgonte uiski në burg Fatos Nanos.
Ai ishte socialist, por kishte mbështetur referendumin e Berishës për kushtetutën në vitin 1994. Ai kishte gjithashtu sy të mprehtë për sipërmarrje, duke gëzuar marrëdhënie të mira me sipërmarrësit e qytetit dhe kreun e PD-së së rrethit, që thuhej se importonte naftë nga Greqia.
Akuzat për korrupsion ishin më të shumta se flokët e dendur e të zinj të Finos. Atë natë, shtëpinë e Finos e rrethuan njerëz të armatosur. Disa ishin kundër marrëveshjes.
Disa ishin pro marrëveshjes, por kundër Finos. Disa donin që Finoja të merrte detyrën. Brenda në shtëpi, Finoja priti një telefonatë nga Berisha. “Kemi detyrë të vështirë përpara, por do të punojmë së bashku”, kujtoi Finoja fjalët e presidentit.
“Do të dërgoj helikopter nesër për ty, por ki kujdes se mos e rrëzojnë”. Helikopteri erdhi dhe u largua i sigurt mëngjesin e së nesërmes, duke marrë në Tiranë kryeministrin e ri.
Finoja shkoi përnjëherësh në selinë e Partisë Socialiste e mandej në Presidencë së bashku me Rexhep Meidanin, ku Berisha e emëroi zyrtarisht kryetar të qeverisë. Ai kapërceu bulevardin drejt zyrës së tij të re për të diskutuar për postet qeveritare që mbeteshin.
Sipas marrëveshjes, socialistët morën Ministritë e Financës dhe të Mbrojtjes, kurse demokratët mbajtën Ministrinë e Brendshme, Shërbimin Informativ Kombëtar dhe televizionin shtetëror.
“Kishte dy pika kryesore: shmangia e luftës civile dhe arritja e një marrëveshjeje për zgjedhjet”, kujtoi Finoja. Që të dyja do të ishin detyra vigane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



