Covid 19 vazhdon të marrë jetë mes bluzave të bardha në Shqipëri. Kryeinfermierja nga Librazhdi, e cila punonte së fundmi në Qendrën Shëndetësore nr 4 Tiranë, Fatime Poçi, ka humbur betejën me virusin e rrezikshëm.
Lajmin e kanë bërë publik, “Urdhri i Infermierit Shqiptar”.
Mësohet se infermierja, 57 vjeçe, ishte e shtruar prej një muaji në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ndërsa prej dy ditësh ishte futur në intubim për shkak se sëmundja kishte përkeqësuar shëndetin e saj.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të koleges sonë të nderuar, Znj. Fatime Poci, 57 vjeçe prekur nga Covid-19, – thuhet në njoftimin e Urdhrit të Infermierit Shqiptar. – Ndarja nga jeta e znj.Poçi, është një humbje e madhe për familjarët, miqtë, kolegët dhe gjithë ata që e njihnin dhe patën fatin të punonin me të, me një eksperiencë disa vjeçare në profilin e infermieristikës pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në Librazhd dhe pranë Qendrës Shëndetësore nr.4 në Tiranë”.
Para një jave, një tjetër infermiere humbi jetën nga Covid 19, Nurie Bace, 50 vjeçe, e cila shërbente prej vitesh në qytetin e Lushnjës.
Ndërkohë, në fillim të këtij muaji, kanë humbur jetën brenda 24 orësh tre infermierë nga koronavirusi.
Viktimat ishin Nerim Vaçi, infermier në Mat, një infermiere nga Lushnja me emrin Erjola dhe Lindita Peshku nga Tirana, infermiere në Poliklinikën Nr.1të konsultorit të fëmijës në kryeqytet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.