Kryetarja e Lëvizjes Socialistë për Integrim, Monika Kryemadhi gjatë një takimi me gratë në zonën e Brrylit në Tiranë, komentoi shembjen e një pjese të godinës së Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.
“Pas këtij veprimi që ka ndodhur sigurisht që është mafia, sepse vetëm në një godinë të tillë mund të pastrohen paratë e drogës, paratë e plehrave, paratë e inceneratorëve të cilat vijnë nëpërmjet off-shoreve, por premtoj dhe kjo le të jetë në kuadrin e një premtimi të drejtpërdrejtë politik dhe personal për të gjithë ata mjekë gjinekologë dhe obstetër, për të gjithë ato mami dhe kryemami që kanë punuar, kanë jetuar, janë rropatur, për të gjitha ato nëna dhe fëmijë që kanë lindur atje, asaj gjëje do ti shkojmë deri në fund, që nga ana që e kanë transferuar nga Ministria e Shëndetësisë në objekt të Bashkisë dhe të gjitha gjërat me radhë, për ta rrënuar një godinë të tillë, që jo vetëm është godinë e historisë, është historia e Tiranës, por është edhe një memorie emocionale e të gjithë të rinjve dhe të rejave, e të gjithë burrave dhe grave të qytetit të Tiranës...
Dhe përfitoj nga rasti për t’ja bërë të qartë se ndoshta ata që kanë ngritur kovën e ekskavatorit për ta rrënuar atë godinë, mund të kenë qenë nën efekte të tjera, por të mos harrojnë që ajo kovë do të bjerë në kokën e tyre, sepse është rrënim jo vetëm i memories dhe historisë sonë, por është edhe memorie emocionale, sepse tashmë pasi e varfëruan dhe e grabitën këtë popull, pasi e c ‘nderuan, tani kërkojnë t’iu c ‘nderojnë memorien, emocionet dhe çdo gjë tjetër”, tha Kryemadhi.
Më tej, ajo shtoi: “Unë jam e bindur që pas 25 prillit LSI bashkë me të gjithë partnerët e tjerë politikë jo vetëm që do të angazhohen për rikthimin e Teatrit Kombëtar, Maternitetit e të shumë gjërave të tjera, por do të çojmë përpara drejtësisë të gjithë përgjegjësit për gjerat që i kanë rrëmbyer këtij qyteti dhe këtij populli”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.